Vlora Dumoshi. Foto: MKRS

Mesazhi i ministres Vlora Dumoshi për Muajin e Rinisë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka adresuar një mesazh me rastin e fillimit të muajit të rinisë. Çdo vit muaji shtator shënohet si muaji i rinisë dhe organizohen një sërë aktivitetesh për dhe rreth rinisë.

Përmes këtij mesazhi, ministrja Dumoshi ka thënë se prioritet i punës së saj si ministre janë të rinjtë.

“1 shtatori shënon fillimin e muajit të rinisë. I gjithë shtatori i takon potencialit dhe energjisë që përçojnë të rinjtë e vendit tonë, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të popullatës”, ka thënë ajo në mesazhin e saj.

Në çdo periudhë historike, shton më tej ministrja, rinia ishte promotore e ndryshimeve rrënjësore në Kosovë prandaj edhe sot angazhimi i tyre është parësor për zhvillimin e vendit.

“Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej marrjes së mandatit i kam pasur të rinjtë e vendit prioritetin kyç të punës time. Jam shumë e lumtur, që përmes mekanizmave të MKRS-së kemi arritur të shpërndajmë grante për shumë të rinj, të përkrahim organizata rinore dhe të intensifikojmë punën për ligjin për fuqizimin e rinisë. Përkushtimi im për fushën e rinisë do të jetë konsistent e i vazhdueshëm dhe ju siguroj pa dallim që do të jem derë e hapur e bashkëpunimit. Gëzuar Muajin e Rinisë! E gëzofshi rininë dhe jetën, me energjinë që ju karakterizon!”, ka thënë Dumoshi në mesazhin e saj për muajin e rinisë.