U.D. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

Osmani kërkon mbështetjen e aleatëve ndërkombëtar për drejtësi: Serbia kreu dhunë sistematike kundër popullit tonë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar me një video-mesazh të fundvitit aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës.

Osmani tha se kërkon mbështetjen e aleatëve ndërkombëtar në ndjekjen për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidit serb dhe në kërkimin për përgjegjësi për personat e zhdukur.

“Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi. Ende sot kemi mijëra gra që jetojnë me stigmën e padrejtë për shkak se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim të neveritshëm”, tha ajo.

U.d. presidetja theksoi se ende sot ka prindër që dëshirojnë të dijnë vendndodhjen e 1,600 kosovarëve të zhdukur.

 

“Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Kjo rezultoi në më shumë se 13,000 vrasje të popullatës civile gjatë luftës, 1,133 prej të cilëve ishin fëmijë. E përsëris-fëmijë”, tha ajo tutje, duke shtuar se historia e Kosovës është tragjike por gjithashtu histori e besimit, qëndresës dhe shpresës-dhe mbi të gjitha e luftës për liri.

Osmani ka shtuar se ky ishte vit i sfidave të pashembullta për shkak të coronavirusit.

Ajo u ka shprehur ngushëllime qytetarëve për humbjen e jetëve të familjarëve të tyre, ndërsa ka falenderuar partnerët ndërkombëtar për përkrahjen duke siguruar pajisje mjekësore, ngritje të kapaciteteve dhe mbështetjen financiare.

Osmani ka kërkuar nga aleatët ndërkombëtar të kenë besim në potencialin e të rinjve të Kosovës, duke përmendur sukseset e tyre në estradë, sport e kulturë. Ajo ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të luftojë korrupsionin.