Merret vendimi, mësimi do të fillojë më 1 shtator

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka marrë vendim që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator, sipas planit të miratuar në Qeverinë e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari i ministrit, Enver Osdatuaj për KALLXO.com, duke shtuar se vendimi së shpejti do të bëhet publik.

“Ne e fillojmë mësimin me datën 1 shtator sipas vendimit që është nxjerrë pas vendimit të Qeverisë për master planin. Vendimi është nënshkruar prej ministrit dhe tani është tek protokolli dhe do të bëhet publike në uebfaqe”, tha ai.

Sa i përket kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që viti i ri shkollor të shtyhet për dy javë, ai tha se kjo kërkesë është absurde.

“Ne kemi qenë në takime te vazhdueshme me  SBAShK-un, paska dal me këto kërkesa  në momentet e fundit. Shqetësimet e SBASHK janë përkushtim maksimal i ministrisë dhe i Qeverisë, por nëse  këto presione kanë ndonjë motiv tjetër në këto rrethana të jashtëzakonshme, për mua janë kërkesa absurde, duhet me iu përshtat rrethanave edhe mësimdhënësve edhe SBAShK. Kërkesë që nuk përputhet me situatën”, shtoi ai.

Dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar master-planin e Ministrisë së Arsimit në bazë të të cilit mësimi do të fillojë më 1 shtator.

Në bazë të këtij plani, hapja e shkollave do të bëhet me 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

Fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator e ka kundërshtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, duke kërkuar që të shtyhet për të paktën dy javë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.