Menaxhimi i pandemisë, Shoqata e Pacientëve kërkon shkarkimin e drejtorit të ShSKUK-së

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të ShSKUK-së Basri Sejdiut, pas rritjeve të rasteve të reja dhe vdekjeve të shënuara nga COVID-19.

PRAK përmes një postimi ka deklaruar se jeta e pacientëve nuk duhet të jetë kundërvlerë e  çfarëdo pozite, “por kjo duhet të bëhet për arsye morale dhe t’i jep hapësirë një hetimi të pavarur dhe një satisfaksion moral për familjarët e viktimave”.

Gjithashtu sipas tyre, menaxhimi i Pandemisë COVID – 19 po shkon drejtë humbjes së kontrollit.

“Vdekja e 12 pacientëve dhe konfirmimi i 178 rasteve të tjera të infektuara brenda 24 orëve tregon më së miri që institucionet shëndetësore nuk po arrijnë të menaxhojnë fluksin e pacientëve”, thuhet në njoftimin e PRAK.

“Sipas raportimeve të mediave, 4 nga 12 pacientët e vdekur kanë ndërruar jetë si rezultat i problemeve me Oksigjen. Kjo mbetet të vërtetohet nga institucionet përgjegjëse. Megjithatë, kujtojmë se një problem i ngjashëm ka bërë që ish-Drejtori i SHSKUK – së të jap dorëheqje. Duke e parë që një problem i tillë nuk është rregulluar edhe pas 3 viteve ne konsiderojmë se pesha e përgjegjësisë është edhe më e madhe. Prandaj kërkojmë nga Drejtori i SHSKUK – së që të jap dorëheqje nga pozita, ose të shkarkohet nga Bordi i SHSKUK – së. Jeta e pacientëve nuk duhet të jetë kundërvlerë e e çfarëdo pozite, por kjo duhet të bëhet për arsye morale dhe t’i jep hapësirë një hetimi të pavarur dhe një satisfaksion moral për familjarët e viktimave”, thuhet në status.

Gjithashtu, kanë konsideruar se masat e lirimit kundër COVID – 19, të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë, kanë kontribuuar në një situatë ku gjendja bëhet e pa menaxhueshme.

“Kalimi nga masa rigoroze në masa tejet liberale pa u ngritur kapacitetet spitalore, ka kontribouar që institucionet të vijnë në prag të kolapsit. Është a pa shpjegueshme që në kohën kur rriteshin rastet e konfirmuara me COVID 19 masat preventive liroheshin edhe më shumë! Edhe më vështirë e shpjegueshme është reduktimi i gjurmimit të kontakte të personave të prekur me Covid 19. Publiku nuk u informua asnjëherë se pse kishte disproporcion të rritjes së numrit të rasteve, lirimit të masave dhe reduktimit të testimeve, edhe pse ishin premtuar testime masive”, thuhet në njoftimin e PRAK.

“Të vlerësosh se rekomandimet do të zbatohen nga qytetarë të cilët për 20 vite nuk kanë marrë edukim shëndetësor është një iluzion! Aq më tepër kur mbikëqyrja e respektimit të masave ka qenë minimale”, vijon komunikata.

Gjithashtu sipas tyre të vësh në peshore shëndetin publik si kundërvlerë e “shëndetit të ekonomisë” është qasje skajshmërisht e gabuar.