Memorandumi në mes të KPK, shoqërisë civile dhe mediave synon të rrisë besimin në sistemin prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës nënshkroi një Memorandum të Mirëkuptimit me përfaqësuesit e Platforma CiviKos dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mënyrë që të krijohen procedura standarde për shoqërinë civile dhe mediat për të dorëzuar raste tek Prokuroria e Shtetit.

Sipas komunikatës, memorandumi që është përgatitur me ndihmën e aktivitetit të USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse krijon mundësinë për të ndërtuar procedurë standarde për dorëzim të rasteve të identifikuara nga shoqëria civile dhe media tek Prokuroria e Shtetit, dhe angazhimin e KPK-së për të ofruar informata kthyese që të ju mundësojë organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të përcjellin rastet e dorëzuara.

Memorandumi parasheh krijimin e formave standarde për të raportuar rastet tek Prokuroria e Shtetit dhe publikimin e këtyre formave në uebfaqet e KPK dhe palëve nënshkruese.

Forma standarde është duke u dizajnuar në atë mënyrë që të përmbajë të gjitha informatat e nevojshme për të adresuar raportet tek Prokurori i Shtetit, gjersa mbron burimet e gazetarëve dhe garanton kualitetin e informacionit të dorëzuar.

Procesi që çoi deri tek nënshkrimi i këtij Memorandumi përfshiu konsultime me mbi 100 organizata të shoqërisë civile dhe dy punëtori që mblodhën së bashku ekspertë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Jetish Maloku, Kryesues i Këshillit Prokurorial tha se nënshkrimi i këtij memorandumi tregon se KPK dhe Prokuroria janë të gatshëm në rritjen e transparencës, rritjen e bashkëpunimit dhe ndërtimit të besimit në sistemin prokurorial të Kosovës.

Në anën tjetër Donika Emini, Drejtoreshë e CiviKos tha se këtë projekt po e nënshkruajnë përmes projektit të USAID Komuna Transparente, efektive dhe llogaridhënëse.

“Kjo do të mundësojë një komunikim të strukturuar dhe formal me institucione, dhe ngritje të kapaciteteve të organizatave”, tha Emini.

Imer Mushkolaj tha se ky është një fillim i mbarë. Ai tha po ashtu mediat do të bëjnë presion që rastet të zgjidhen.

Sipas Mushkolajt Memorandumi ka synim që të lehtësojë punën e prokurorisë, dhe shpresojmë që ky angazhim nuk do të mbetet në letër.

2021-06-24 MoU KPK CiviKos KMShK Shqip