Memli Krasniqi në Drenas: Ramiz Lladrovci është lokomotivë e zhvillimit që e duan të gjithë qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar sot në Drenas, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar të ardhshëm të Drenasit – kryetarin aktual, Ramiz Lladrovcin.

Krasniqi tha se PDK ndihet krenare me Lladrovcin dhe qeverisjen e mirë të tij.

“E di se kurrë nuk është mjaftueshëm dhe ka shumë për t’u bërë. Por është për çdo ditë më mirë se që ka qenë. E unë ju zotohem sot, se do bëhet shumë më mirë se që është. Merita për këtë ka gjithsecili prej jush. Gjithsecili qytetar. Por pa dyshim se meritë të madhe ka kryetari Ramiz Lladrovci, i cili jo veç që ka qeverisur, por ka qeverisur mirë. Qeverisja e tij është vlerësuar si model edhe nga institucionet qendrore të Republikës, për çka ne jemi krenar. Por shumë ma e rëndësishme se kaq, është vlerësimi i qytetarëve të Drenasit. Besimi i tyre. Vullneti i tyre për zhvillim”, tha Krasniqi.

“Ramiz Lladrovci, jo veç që është alternativë, por edhe lokomotivë e zhvillimit që na pret. Ky është zotimi i tij. Ky është zotimi i PDK-së”, shtoi tutje ai.

Krasniqi po ashtu nënvizoi se Lladrovci është bashkëluftëtar i Adem Jasharit, “Mik e bashkudhëtar në rrugën e lirisë me dy ish liderët tanë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin”, shtoi ai.

Kreu i PDK-së ka folur në Drenas edhe për situatën politike dhe mendimet ndryshe brenda kësaj dege. Ai tha se çdokush ka të drejtë të  mendojë e ofrojë alternativë ndryshe.