Foto: ZKM

Memli Krasniqi flet pas takimit me kryeministrin Kurti

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit që zhvilloi sot me kryeministrin Albin Kurti, ka treguar se çka është diskutuar në atë takim.

Krasniqi përmes një postimi  në Facebook tha se nga kryeministri Kurti u informuan së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku,  për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.

“Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim”, tha Krasniqi.

Tutje ai shtoi se përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, ka kërkuar që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë,  veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.

“Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, më 26 shtator, priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.

Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Që prej 20 shtatorit, kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targat nga Serbia, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë bllokuar nga serbët lokalë të cilët po e kundërshtojnë këtë masë.