Me ftesë të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, presidentja Osmani e ftuar speciale në ngjarjen e “Clinton Global Initiative”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bullgari për të marrë pjesë në ngjarjen e “Clinton Global Initiative”, si e ftuar speciale e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Osmani do të ketë takim me ish-Sekretaren e Shtetit, dhe do të flasin për rolin e grave në fuqizimin e ekonomive.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani është planifikuar të takohet edhe me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë po ashtu në tryezën ekzekutive që organizohet në kuadër të këtij organizimi, përkrah të ftuarve të shumtë nga bota e politikës, biznesit, filantropisë dhe shoqërisë civile. Ndërkohë, në kuadër të vizitës njëditore, Presidentja Osmani pritet të takohet edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev”- thuhet në njoftim.

“Clinton Global Initiative” është themeluar në vitin 2005 nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve nga anembanë botës me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve konkrete për sfida globale.