Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. FOTO-REL

Me çfarë padi dhe hetime po përballet Donald Trump?

Ndërkohë që agjentët e FBI-së po e bastisin resortin Mar-A-Lago të ish-presidentit Donald Trump, ky i fundit mund të përballet me padi dhe hetime lidhur me problemet ligjore në të cilat është i përfshirë gjatë kohës sa ka qenë president i SHBA-së në një mandat 4-vjeçar.  

Bastisja së fundmi në pronën e tij në Florida është pjesë e një hetimi për largimin dhe shkatërrimin e paligjshëm të të dhënave të Shtëpisë së Bardhë nga Trump pas presidencës së tij.

Mungojnë të dhënat kombëtare

Në shkurt, Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve të SHBA (Nara) e njoftoi Kongresin se kishte gjetur rreth 15 kuti me dokumente të Shtëpisë së Bardhë nga shtëpia e Trump në Florida, disa prej të cilave përmbanin materiale të klasifikuara.

Në atë kohë, Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA tha se po zgjeronte një hetim mbi veprimet e Trump dhe kërkoi nga Arkivat të jepnin informacione shtesë. Trump konfirmoi më parë se ai kishte rënë dakord t’i kthente disa të dhëna në Arkiva, duke e quajtur atë “një proces të zakonshëm dhe rutinor”.

Sulmi në Kapitol Hill

Një panel i Kongresit që po i heton sulmet e 6 janarit nga mbështetësit e Trump në Kapitol Hill të SHBA-së, po punon për ta ndërtuar një rast se Trump e ka shkelur ligjin në përpjekje për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Nënkryetarja Liz Cheney ka thënë se komiteti mund të bëjë referime të shumta në Departamentin e Drejtësisë për të kërkuar akuza penale kundër Trump, i cili akuzon panelin për kryerjen e një hetimi të rremë.

Në një dosje gjyqësore të muajit mars, komiteti i detajoi përpjekjet e Trump për ta bindur ish zëvendës presidentin Mike Pence që ose ta refuzojë listën e zgjedhësve për Joe Biden, i cili fitoi zgjedhjet ose ta vonojë numërimin e votave në Kongres.

Komiteti nuk mund ta akuzojë Trumpin për krime federale. Ky vendim duhet të merret nga Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga prokurorja e përgjithshme Merrick Garland. Ekspertët thanë se nëse Departamenti i Drejtësisë ngre akuza, sfida kryesore e prokurorëve do të jetë vërtetimi se Trump veproi me qëllime korruptive.

Trump gjithashtu mund të akuzohet për “komplot kryengritje”, një statut i përdorur rrallë që e bën të paligjshme përmbysjen e qeverisë amerikane me forcë, një akuzë që tashmë është ngritur kundër pjesëmarrësve të shumtë në sulm.

Mashtrimi përmes mjeteve elektronike

Demokratët kanë deklaruar gjatë një seance dëgjimore në muajin qershor të komitetit të 6 janarit se ish president Trump, mblodhi rreth 250 milionë dollarë nga mbështetësit për t’i avancuar pretendimet mashtruese në gjykatë se ai fitoi zgjedhjet, mirëpo i drejtoi atë shumë të madhe parash diku tjetër.

Kjo e shton mundësinë që ai mund të akuzohet për mashtrim përmes mjeteve elektronike, i cili e ndalon marrjen e parave me “pretendime të rreme ose mashtruese”, thanë ekspertët ligjorë.

Ndërhyrja në zgjedhjet në Gjeorgji

Një juri e madhe e posaçme u zgjodh në muajin maj për t’i shqyrtuar provat në hetimin e një prokurori të Gjeorgjisë mbi përpjekjet e supozuara të Trump për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të shtetit 2020.

Hetimi fokusohet pjesërisht në një telefonatë që Trump i bëri Brad Raffensperger, sekretarit republikan të shtetit të Gjeorgjisë, më 2 janar të vitit 2021.

Trump i kërkoi Raffensperger-it t’i “gjente” votat e nevojshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhje, sipas një audio-regjistrimi të siguruar nga ëashington Post.

Ekspertët ligjorë thanë se Trump mund t’i ketë shkelur të paktën tri ligje penale zgjedhore të shteteit të Gjeorgjisë: konspiracion për të kryer mashtrime zgjedhore, kërkesë kriminale për të kryer mashtrime zgjedhore dhe ndërhyrje të qëllimshme në kryerjen e detyrave zgjedhore.

Trump mundi të argumentonte se ai po angazhohej në fjalën e lirë dhe nuk kishte ndërmend të ndikonte në zgjedhje.

Hetimi penal i Nju Jorkut

Alvin Bragg, prokurori i qarkut të Manhattan-it, ka hetuar nëse kompania e pasurive të paluajtshme familjare të Trump i ka keqinterpretuar vlerat e pronave të saj për të marrë kredi bankare të favorshme dhe fatura më të ulëta taksash.

Dy avokatë kryesorë që e kishin udhëhequr hetimin dhanë dorëheqjen në muajin shkurt, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e hetimit, por zyra e Bragg ka thënë se ajo po i vazhdon hetimet.

Hetimi civil i Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut

Letitia James, prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, po kryen një hetim civil duke shqyrtuar nëse Organizata Trump i ka fryrë vlerat e pasurive të paluajtshme. Trump dhe dy nga fëmijët e tij të rritur, Donald Trump Jr, dhe Ivanka Trump, ranë dakord të dëshmonin mbi hetimin duke filluar më 15 korrik.

Trump e ka mohuar të ketë bërë diçka gabim apo keq në të dy rastet e Nju Jorkut dhe i ka përshkruar ato si të motivuara politikisht.

Çështja e shpifjes së Jean Carroll

E Jean Carroll, ish-shkrimtare e revistës Elle, e paditi Trumpin për shpifje në vitin 2019 pasi presidenti i atëhershëm mohoi pretendimin e saj se ai e kishte përdhunuar atë në vitet 1990 në një dyqan të qytetit të Nju Jorkut. Ai e akuzoi atë se gënjeu për t’i nxitur shitjet për një libër.

Gjykata e dytë qarkore e apelit në Manhattan është gati të vendosë nëse padia e Carroll duhet të rrëzohet.

Një avokat i Trump ka argumentuar se ai mbrohet nga një ligj federal që i bën punonjësit e qeverisë të imunizuar nga pretendimet për shpifje.

A e privon Trumpin nga ndjekja penale kandidimi i tij për President të SHBA-ve?

Jo. Megjithëse Departamenti i Drejtësisë ka një politikë dekadash ku thuhet se një president në detyrë nuk mund të paditet, nuk ka një mbrojtje të tillë për kandidatët presidencialë./The Guardian