Presidenti amerikan, Donald Trump.

FBI e bastis pronën e ish-presidentit Trump në Florida

Prona e ish-presidenti Donald Trump, Mar-a-Lago, është bastisur të hënën, shkruan sot Reuters, duke shtuar se agjentët e FBI-së kanë pasur qasje në kasafortën e Trump, si pjesë e një një hetimi për largimin e të dhënave zyrtare presidenciale e Trump nga Shtëpia e Bardhë në vendpushimin e tij në Florida.

Kontrolli i paprecedentë i shtëpisë së një ish-presidenti shënon një përshkallëzim të rëndësishëm në hetimin e të dhënave, që është një nga disa hetimet me të cilat po përballet Trump gjatë kohës së tij në detyrë dhe në biznesin privat.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk pranoi ta komentojë mbi hetimin, të cilin Trump në një deklaratë e quajti bastisje dhe tha se përfshin një “grup të madh agjentësh të FBI”. Selia e FBI-së në Uashington dhe zyra e saj në terren në Miami nuk pranuan të komentojnë.

Ndërkohë, sipas Reuters, Eric Trump, një nga fëmijët e rritur të ish-presidentit, ka deklaruar për Fox News se kontrolli në rezidencën e Trump në Florida kishte të bënte me kutitë e dokumenteve që Trump i solli me vete nga Shtëpia e Bardhë dhe se babai i tij ka bashkëpunuar me Arkivin Kombëtar për këtë çështje prej muajsh.

Një burim i njohur me këtë çështje konfirmoi gjithashtu për Reuters se bastisja duket se ishte e lidhur me zhvendosjen e të dhënave të klasifikuara nga Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Donald Trump ka deklaruar se pasuria e tij është “aktualisht nën rrethim, bastisje dhe okupim” dhe se ai nuk është në dijeni se pse ka ndodhur bastisja.

Trump nuk ishte i pranishëm në atë kohë pasi ishte në Nju Jork të hënën, raportoi Fox Neës Digital, duke publikuar një foto të Trump që një gazetar i Fox tha se e tregonte atë duke u larguar nga Trump Tower.

Trump, i cili e ka bërë klubin e tij në Palm Beach shtëpinë e tij që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021, përgjithësisht i ka kaluar verërat në klubin e tij të golfit në Bedminster, Neë Jersey, sepse Mar-a-Lago zakonisht mbyllet për verën.

Një ligj federal i quajtur Akti i Regjistrimeve Presidenciale të SHBA-së kërkon ruajtjen e memorandumeve, letrave, shënimeve, emaileve, fakseve dhe komunikimeve të tjera me shkrim që lidhen me detyrat zyrtare të një presidenti.

Çdo kontroll i një rezidence private duhet të miratohet nga një gjyqtar pasi agjencia hetuese e zbatimit të ligjit ta tregojë shkakun e mundshëm se kontrolli ishte i justifikuar.

Regjistrimet mungojnë

Në shkurt, arkivisti David Ferriero u kishte thënë ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve se Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve kishte qenë në komunikim me Trump gjatë gjithë vitit 2021 për kthimin e 15 kutive të të dhënave. Ai përfundimisht i ktheu ato në janar të vitit 2022.

Në atë kohë, Arkivi Kombëtar ishte ende duke kryer një inventar, por vuri në dukje se disa nga kutitë përmbanin artikuj “të shënuar si informacion të klasifikuar të sigurisë kombëtare”.

Trump e ka konfirmuar më parë të ketë rënë dakord që t’i kthente disa regjistrime në Arkiva, duke e quajtur atë “një proces të zakonshëm dhe rutinë”, duke pretenduar njëkohësisht se Arkivat “nuk ‘gjetën’ asgjë”.

Në muajin prill, Departamenti Amerikan i Drejtësisë pati nisur një hetim në fazë të hershme për heqjen e të dhënave zyrtare presidenciale nga ish-presidenti Donald Trump në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida.

Ky hetim ishte inicuar pasi Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve të SHBA-së në muajin shkurt e pati njoftuar Kongresin se kishte gjetur rreth 15 kuti me dokumente të Shtëpisë së Bardhë nga rezidenca e Trumpit në Florida, disa prej të cilave përmbanin materiale të klasifikuara./Reuters