Safet Gjici

Mbyllen hetimet për ish-kreun e bashkisë së Kukësit, Safet Gjici

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi të shtunën se ka mbyllur hetimet ndaj ish kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, duke e dërguar çështjen për gjykim. Zoti Gjici u arrestua në muajin qershor, një javë pasi në rrjetet sociale u publikua një video në të cilën ai shfaqej në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua, Alma Kaçin. Kjo e fundit po ashtu përfundoi në arrest shtëpie.

Sipas Prokurorisë, zonja Kaçi, është personi që i ka ofruar përfitime në formën e favorit seksual kryebashkiakut, i cili më pas i ka premtuar dhe ka pranuar ta ndihmojë, me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Kukësit. Ndaj të dyve është ngritur akuza për korrupsion.

Ngjarja mori një vëmendje të lartë. Zoti Gjici, i sapo rizgjedhur, dha dorëheqjen nga posti, ditën që u publikua video. Po në të njejtën ditë, Qeveria njoftoi shkarkimin e tij nga detyra, por për arsye që nuk morën ndonjëherë shpjegim, vendimi u botua në Fletoren zyrtare duke marrë kështu fuqi ligjore, vetëm pas 10 ditësh.

Ish kryebashkiaku u shpreh në deklaratën e tij të dorëheqjes, se “prej disa kohësh kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke pretenduar nga ana tjetër, se kishte rënë pre e një kurthi të organizuar nga kundërshtarët e tij politik. Deri më tani mbeten të paqarta motivet e publikimit të videos dhe kush qëndron pas./VOA