Mbrojtja pa shkresa të lëndës, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për pjesëmarrje në grupin e ISIS-it

Blerim Syla, i akuzuar për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS, ka dalë para gjykatës së Prishtinës, nën akuzat për pjesëmarrje në grupin e ISIS-it.

Syla akuzohet se në vitin 2013 kishte udhëtuar nga Kosova për në Turqi e më pas për në Siri me qëllim që t`i bashkangjitej grupit terrorist ISIS, për t`u stërvitur e më vonë për të luftuar.

Gjykimi lidhur me këtë rast nuk mundi të vazhdoj siç ishte përcaktuar pasi që avokati i Blerim Sylës, Besnik Berisha deklaroi se nuk është i pajisur me shkresa të lëndës për arsye se deri më tani Syla përfaqësohej nga një avokat tjetër.

Berisha në mungesë të shkresave të lëndës kërkoi nga gjykata që të shtyhet gjykimi i sotëm për një tjetër datë, kërkesë e cila i’u aprovua nga trupi gjykues në përbërje prej Ngadhnjim Arrni- kryetar, Kujtim Krasniqi dhe Valbona Musliu Selimaj, anëtarë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Syla akuzohet për pjesëmarrje në grupe terroriste dhe atë në grupin terrorist të ISIS-it.

Sipas prokurorisë Syla më 03.11.2013 kishte udhëtuar në Stamoll të Turqisë për të shkuar pastaj në qytetin e Hatait.

Rrugëtimi i Sylës sipas prokurorisë nuk kishte mbaruar me kaq, pasi që i njëjti më pas kishte vazhuar rrugën për në qytetin Hatai të Turqisë me destinacion të fundit në qytetin Azra të Sirisë.

Arritja e Sylës nuk ishte e rastësishme, pasi që sipas prokurorisë, ai ishte vendosur në një qendër stërvitore, ku kishte kryer ushtrime në një nga qytetet e Sirisë.

Stërvitjet për gjuajtje me armë, i kishte bërë për angazhim dhe pjesëmarrje në luftime, ku sipas prokurorisë, i akuzuari kishte qëndruar për tre muaj në Siri.

Më 17.05.2014, Syla kishte marrë rrugën për t`u kthyer në Kosovë.

Veprime këto të Blerim Sylës që sipas prokurorisë kanë konsumuar elementet e veprës penale për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Vepra e specifikuar si më lartë, në kodin e vjetër penal me të cilin do të gjykohet i akuzuari dënohet nga 5 vite dënim me burgim e deri në 10 vite.

“Kushdo që merr pjesë në veprimtaritë e grupit terrorist dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet”- thotë paragrafi me të cilin akuzohet Blerim Syla.

Lidhur me veprime të ngjashme, ku qytetarë të Kosovës i ishin bashkuar grupeve të caktuara për të luftuar në Siri, Gjykata e Prishtinës kishte trajtuar dhjetëra raste.

Syla kishte qenë duke u gjykuar së bashku me disa persona të tjerë por që procedura ndaj tij ishte veçuar pasi i njëjti ka qenë në arrati që nga vitit 2015 ndërsa i njëjti është sjellë në Kosovë përmes procedurës së ekstradimit, nga shteti i Maqedonisë së Veriut.