Ilustrim

Hezbollahu sulmon Izraelin me raketa e dronë

Hezbollahu i Libanit ka bërë të ditur se ka lansuar një sulm masiv me raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit në shenjë të hakmarrjes për vrasjen e një komandanti të lartë. Ky është shpërthimi i fundit i dhunës në konfliktin që po përshkallëzohet në kufirin ndërmjet Izraelit dhe Libanit, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.

Derisa luftimet në luftën e Gazës po vazhdojnë, konflikti ndërmjet Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe Izraelit në anën tjetër ka nisur të intensifikohet muajve të fundit, duke shtuar frikën e një lufte të gjerë, të cilën të dyja palët thonë se do të donin ta shmangnin. Njëherësh diplomatët po punojnë që ta parandalojnë.

Dhe derisa dhuna ka shpërthyer përsëri në rajon në ose përreth kufirit, zhurma e raketave ka prishur qetësinë në rajonet e Bejrutit për të dytën ditë me radhë. Është raportuar se jehona e raketave është dëgjuar edhe në pjesën më të madhe të Libanit.

Është raportuar se edhe aeroplanët luftarakë izraelitë janë dëgjuar dhe parë në rajon. Hezbollahu ka bërë të ditur se ka lansuar mbi 200 raketa dhe një seri dronësh në drejtim të 10 dhjetë caqeve ushtarake izraelite në shenjë hakmarrje për vrasjen e komandantit të Hezbollahut, Mohammed Nasser, në jug të vendit. Nasseri ishte njëri prej komandantëve më të lartë të Hezbollahut, që u vra gjatë konfliktit.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë për agjencinë Reuters se pretendimet e Hezbollahut “janë nën vlerësim”, derisa shërbimi i ambulancave izraelite ka thënë se nuk ka pasur asnjë viktimë.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se po shënjestron pozicionet sulmuese të Libanit jugor dhe se ka shkatërruar një mori raketash. Ushtria izraelite po ashtu ka njoftuar se disa prej raketave dhe dronëve janë neutralizuar në qiell./Reuters

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com