Foto: KALLXO.com

Mbrohen në heshtje të akuzuarit për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Në Gjykatën e Prishtinës, të premten, më 31.05.2024, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismajlit dhe Ardian Hamitit, të cilët po akuzohen se kanë mashtruar persona të ndryshëm, duke u premtuar se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe se për këtë u kanë marrë shuma të ndryshme parash.

Gjatë seancës së sotme të pandehurit zgjodhën të mbrohen në heshtje.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues bëri të ditur se ka ndryshim në përbërje të trupit gjykues.

Pasi që gjykimi filloi rishtazi dhe aktakuza u konsiderua e lexuar, trupi gjykues në përbërje nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi dhe anëtarët Gent Beka dhe Ertan Sejfullah kërkoi nga të akuzuarit që të deklarohen se a e kanë kuptuar aktakuzën dhe se a ndihen fajtor.

Të gjithë të pandehurit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë për veprën të cilën ata po akuzohen.

Po ashtu, edhe avokatët e të pandehurve qëndruan pranë fjalëve hyrëse të paraqitur më 31.01.2024.

Gjithashtu, u konsideruan të lexuara deklaratat e të gjithë dëshmitarëve të dëgjuar në këtë gjykim.

Më pas, gjykimi vazhdoi me administrimin e provave materiale të propozuara nga Prokuroria, duke filluar me vërtetimin për A.G., vërtetimin për E.H., vërtetimin për A.M. dhe R.M. dhe fletëpagesa të semestrit dhe SMS-të e shkëmbyera mes palëve.

Pas administrimit të provave materiale nga Prokuroria, kryetarja e trupit gjykues i pyeti të akuzuarit nëse kanë ndonjë vërejtje dhe të katërt patën diçka për të thënë.

“Të gjitha për palën mbrojtëse janë të papranueshme sepse nuk është vërtetuar bindshëm lidhur me akuzën e cila i bie në barrë për falsifikim të dokumentacionit andaj SMS-të e shkëmbyera mes palëve nuk paraqesin provë që e dëshmojnë se e mbrojtura ime është përfshirë” – tha avokati Shefqet Hasimi, mbrojtës i të pandehurës Mimoza Beqiri.

“Kemi disa SMS të lexuar gjatë vitit 2013 dhe fillimit të vitit 2014 e që në raport me veprën penale, gjegjësisht me përshkrimin e gjendjes faktike të aktakuzës, këto prova vetëm se janë vjetërsuar” – tha avokati Leotrim Himaj, mbrojtës i të pandehurës Behare Bajrami.

“Ne konsiderojmë se janë të gjitha provat e paligjshme të nxjerra në kundërshtim me ligjin e antikushtetuese” – tha avokati Naser Sopjani, mbrojtës i të pandehurit Betim Ismajli.

“Nuk ekziston asnjë provë materiale e konfirmuar me ekspertizë përkatëse me të cilën do të vërtetohej kryerja e veprës penale e cila i vihet në barrë të mbrojturit tim” – tha avokati Mentor Bogaj, mbrojtës i të pandehurit Ardian Hamiti.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 10.07.2024.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit në periudhën kohore 2013-2014 me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, duke përdorur aparatin e fotokopjes First Print, pronë e të pandehurit Betim Ismajli, në vazhdimësi kanë falsifikuar dokumente të ndryshme kinse të njëjtit janë lëshuar nga administrata qendrore e UP-së, me të cilat prova edhe kanë arritur të dëmtuarit të regjistrohen në fakultete të ndryshme, derisa janë vërejtur nga zyrtarët e UP-së.

Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi ka mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta ka përfituar shuma parash, duke filluar nga 50 euro dhe deri në 5 mijë euro për një regjistrim. Me këtë e njëjta akuzohet nga Prokuroria për veprën penale – mashtrim në vazhdimësi.

Tutje, sipas aktakuzës, gjatë vitit 2013-2014, e akuzuara Behare Bajrami me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare, duke e shfrytëzuar edhe zyrën e saj për t’i bindur se është personi kompetent për t’i regjistruar, të cilat regjistrime kanë arritur t’i kryejnë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas aktakuzës me këtë ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Të pandehurat Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme kanë tentuar të mashtrojnë A.B. dhe V.I., duke tentuar të përfitojnë materialisht nga të dëmtuarit gjoja se po i regjistron në Fakultetin Juridik, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrim në tentativë.