Mbretëria e Bashkuar dhe BE dakordohen të koordinojnë sanksione 'të shpejta' kundër Rusisë

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord që të koordinohen për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Kështu ka bërë të ditur sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Në një postim në Twitter, ajo tha se një bisede telefonike me shefin e politikës së jashtme evropiane, Josep Borrell, dyshja ranë dakord se Britania dhe BE-ja do të “koordinohen për të dhënë sanksione të shpejta kundër regjimit të Putinit dhe do të qëndrojnë krah për krah me Ukrainën”.

Ajo gjithashtu ka njoftuar  se ka folur edhe me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba për t’i ofruar “mbështetjen e plotë” të saj dhe për të diskutuar sanksionet që Britania e Madhe do të vendosë kundër Rusisë me aleatët.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Rreth vendimit për të njohur këto rajone është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.