Mbi 2.5 milionë euro në cigare për të burgosurit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hapur tender për t`u furnizuar me cigare për të burgosurit, cigare të cilat paguhen nga paratë e këtyre të fundit.

Sami Gashi, u.d. i zëvëndës drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com, se SHKK në këtë procedurë është si ndërmjetësues pasi që sipas tij shteti nuk paguan cigare për të burgosurit.

“Blerja e cigareve për të burgosurit bëhet nga paratë e të burgosurve. Bazuar në rregulloren e brendshme për menaxhimin e fondeve të mirëbesimit-depozitat e të burgosurve e datës 13.06.2018 dhe rregulla Financiare nr. 09/2012 për menaxhimin e fondeve në mirëbesim-depozitatat e të burgosurve të nënshkruar nga ministri i Financave i datës 13/03/2012”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Kjo kontratë kornizë me titull “Furnizim me cigare për të burgosur-kantina” parashihet të ketë një kohëzgjatje deri në 36 muaj, ndërsa vlera e parashikuar për kontratë është 2 milionë e 550 mijë euro.

Shërbimi Korrektues përmend edhe mundësinë e ndryshimit të çmimit.

“Operatori Ekonomik i cili shpërblehet kontratë gjatë ekzekutimit të kontratës, ne rast të rritjes së çmimeve të cigareve si pasoj e rritjes së çmimit të akcizës, TVSH apo taksë tjetër nga ana e Qeveris së Republikës së Kosovës, atëherë Autoriteti Kontraktues do të bejë ndryshimin e çmimit me ankes kontratë”, thuhet në njoftim.

Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedurë e hapur, me kriter për dhënie të kontratë, çmimi më i ulët.

Data 22 qershor 2022, është caktuar afati deri kur kompanitë e interesuara mund të ofertojnë për këtë tender.

Çfarë cigare pritet të blejë ShKK?

Shërbimi Korrektues i Kosovës, nëpërmjet këtij tenderi ka paraparë të blej 1,391,000 pako cigare.

Pakot e cigareve të cila pritet të blihen u përkasin markave të ndryshme. Në bazë të listës së çmimeve të këtij tenderi,  cigare të markës “Ronson”, parashihen të blihen më së shumti, përkatësisht 680 mijë pako, pastaj 205 mijë pako cigare prite të blihen të markës “Winston Light”, cigare të markës “Marlboro” të llojeve siç evidentohet në listë: të kuqe, light, zezë/kaltër parashihen të blihen gjithsej së bashku 160 mijë pako. Cigare të markës “Prestig” pritet të blihen gjithsej 100 mijë e 500 pako. Më pas renditen dhe pako të cigareve të markave tjera.

Burimi:Sherbimi Korrektues i Kosoves
Burimi: Tenderi “Furnizim me cigare për të burgosur-kantina”, Sherbimi Korrektues i Kosovës