Deponia e mbeturinave të plastikës në Mitrovicë - 07.05.2019 - FOTO Komuna e Mitrovicës

Mbeturinat industriale shqetësim për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit ka publikuar raportin për mbeturinat e rrezikshme industriale në Kosovë.

Në raport thuhet se shumica e mbeturinave industriale kanë mbetur si pasojë e proceseve industriale nga e kaluara, pasi shumë fabrika dhe reparte industriale ishin shkatërruar dhe demoluar duke lënë kështu edhe shumë kimikate te rrezikshme si mbeturina.

Sipas raportit, në Kosovë ekziston një sasi e konsiderueshme e mbeturinave të rrezikshme të deponuara, në vende jo të përshtatshme dhe me rrezik për mjedisin.

Në raportin e AMMK-së thuhet që në Kosovë ende nuk ka një sistem të nivelit të duhur të menaxhimit të mbeturinave të rrezikshme.

Pas vitit 1999 sasi të mëdha të mbeturinave të rrezikshme janë të mbledhura në depo dhe vende jo adekuate dhe pa ndonjë standard të ruajtjes së tyre.

Ato gjinden në shumë rajone të Kosovës. Aktualisht mbeturinat e rrezikshme që kanë burime të ndryshme ruhen në objekte të ish fabrikave përkatëse, në magazina dhe depo të një sigurie të nivelit shumë te ulët dhe pa standard.

Këto mbeturina janë të sistemuara pa ndonjë kriter dhe vlerësim paraprak.

Në shumë raste kur fabrikat apo magazinat e caktuara janë privatizuar, pas procesit të shitjes së kësaj pasurie shtetërore, pronarët e rinj legjitim të cilën i kanë trashëguar këto mbeturina, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje adekuate për asgjësimin e tyre.

Po ashtu, në raport thuhet që hedhja ilegale e mbeturinave dhe rrjedhimisht ndotja e ambient është në rritje nga viti në vit me gjithë aksionet e vazhdueshme të pastrimit.

Problemi është shumë dimensional dhe pasojë e mosmbulimit me shërbim të tërë territorit të vendit, vetëdijes së ulët të qytetarëve, komunikimit ende të pakët me qytetarët dhe pa strategji lidhur me detyrimet ligjore të ndotësve, parimeve të vendosura me ligj dhe në veçanti ndotjen e ambientit e pasojat afatgjata të këtyre veprimeve;

Nga 33 komuna sa kanë raportuar për menaxhim të mbeturinave në vitin 2018, vetëm 6 komuna kanë rezultuar të kenë ofruar qasje në infrastrukturën për ndarje në burim. Këta hapa të parë në drejtim të ekonomisë qarkore i kanë ndërmarrë komunat: Prizren, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gllogoc, Mitrovicë dhe Vushtrri.

33 komuna kanë raportuar në AMMK, dhe bazuar në procesin e verifikimit në terren, në muajin qershor 2019, numri i përgjithshëm i deponive ilegale në këto komuna është 2246. Nëse të dhënat për numrin e deponive i krahasojmë me sipërfaqen e komunës, atëherë më shumë deponi për km2 ka në komunat: Prishtinë (0.27), Pejë (0.25), Gjilan (0.26) dhe Prizren (0.220, ndërsa më pak deponi për km2 të territorit të komunave ka në Komunën e Mitrovicës (0.10), të Ferizajt (0.15) dhe të Gjakovës (0.12).

Në raport deponitë ilegale janë klasifikuar si: (a) deponi të mbeturinave të amvisërisë; (b) deponi të mbeturinave të ndërtimit dhe rrënimit; (c) deponi të mbeturinave të rrezikshme; (d) deponi të mbeturinave të vëllimshme; dhe (e) deponi të mbeturinave të tjera.

Në 38 komuna janë identifikuar gjithsej 2529 deponi ilegale të madhësive të ndryshme, ku dominuese ishin mbeturinat e ndërtim-rrënimit.

Ky numër tregon ngritje të shifrës së deponive ilegale (957) në vend, nga viti 2017, kur ishin identifikuar 1572 deponi. Bazuar në të dhënat nga të gjitha komunat në Kosovë, pjesa më e madhe e deponive janë deponi të mëdha (39%) dhe lloji dominues i mbeturinave në deponi është komunale (46%) dhe mbeturinat e ndërtimit dhe rrënimit.

Raporti evidenton edhe faktin se përkundër monitorimit të vazhdueshëm dhe mbajtjes nën kontroll të mbeturinave të rrezikshme industriale nga ana e Inspektoratit të MMPH, KFOR dhe FSK, ato çdo herë paraqesin rrezik permanent për mjedisin dhe ekosistemin në tërësi deri sa të bëhet asgjësimi i tyre përfundimtar.

Raporti konkludon po ashtu se përkundër shumë hulumtimeve nga institucionet monitoruese kompetente dhe përkundër këtij hulumtimi fillestar, është e nevojshme që të bëhet një hulumtim më i detajuar për përbërjen dhe llojin e këtyre mbeturinave të rrezikshme, shkallën e rrezikshmërisë në mjedis, si dhe ndikimin potencial në shëndet, ujë, tokë apo ajër.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.