Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com

MASHTI liron disa studentë nga pagesa e Menzës dhe banimit në konvikte

Studentët që janë fëmijë të dëshmorëve, të invalidëve të luftës, të familjeve me asistencë sociale dhe studentët me nevoja të veçanta lirohen nga pagesa e banimit në konvikte dhe pagesa e ushqimit në menzë.

Kështu ka marrë vendim ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Me qëllim të mbështetjes dhe asistencës së disa kategorive të studentëve, kam nënshkruar vendimin për lirimin nga pagesa e banimit dhe të ushqimit në mensë të Qendrës së Studentëve në Prishtinë”, ka shkruar Nagavci në profilin e saj në Facebook.

Sipas Nagavcit, studentët e familjeve përfituese të asistencës sociale duhet të parashtrojnë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë kërkesën për lirim përkatës nga pagesa e caktuar me konkurs.

Përveç këtyre kategorive të studentëve, studentë tjerë të liruar nga pagesa e banimit në konvikte janë ata të Parlamentit Studentor të UP-së dhe studentët banues që janë më shumë se një studentë nga një familje, ku njëri prej tyre lirohet nga kjo pagesë.

Si përfundim, Nagavci ka bërë të ditur se do të vazhdojnë angazhimin e përkrahjen e pakursyer për studentët.