Foto: RTV 21

Kosova zonë me aktivitet të fuqishëm sizmik por pa studime mikrozonuese të qyteteve

Territori i Kosovës ka disa zona të fuqishme të burimeve sizmike ose zona sizmogjene, por deri më sot ende nuk ka një katalog të plotë për tërmetet që e kanë goditur atë.

Sipas Shemsi Mustafës, udhëheqës i sektorit te gjeofizikes dhe gjeologjisë inxhinierike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (ish-MZHE), Kosova ka gjashtë zona me aktivitete sizmike: Zona sizmogjene Pejë-Istog, Zona sizmogjene Ferizaj-Viti-Gjilan, Zona sizmogjene Kopavnik, Zona sizmogjene Prizren-Gjakovë, Zona sizmogjene Drenicë dhe Zona sizmogjene Prishtinë-Mitrovicë.

Sipas tij, duke marrë parasysh se territori i Kosovës nuk është shumë i madh, në cilëndo nga këto zona nëse do të kishte një tërmet, do të ndikonte edhe në zonën tjetër.

“Pa marr parasysh aktivitetin sizmik të ulet ne disa zona, territori i Kosovës nuk ka sipërfaqe aq të madhe, një goditje nga tërmeti në një zone sizmike me aktivitet sizmik më të lart do të ndikoj drejtpërsëdrejti edhe në ato zona që janë zona me aktivitet sizmik më të ulët, sepse në një distancë të vogël 60-70 km do te thotë për pak sekonda apo 6-9 sekonda do ti godet të gjitha zonat për rreth. Ky sqarim në aspektin sizmik tregon që nga  pikëpamja sizmologjike Kosova paraqet një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lart”, ka thënë Mustafa për KALLXO.com.

Mustafa thonë se tërmetet nuk mund të ndalen sepse janë fenomene natyrore, porse pasojat në njerëz dhe në të mira materiale mund të evitohen.

Për evitimin e dëmeve që mund t’i shkaktojnë tërmetet në territorin e Kosovës, Mustafa rekomandon që në ndërtimin e objekteve të zbatohet rregullorja e EUROCODE 8, që parasheh të gjitha masat që duhet të ndërmerren me rastin e ndërtimeve të larta.

“Shumë struktura të ndërtuara në masë të madhe janë projektuar pa trajtim adekuat ndaj forcave nga tërmeti. Duhen të merren masa për të analizuar më seriozisht situatën e ndërtimeve pa kufi dhe rreziqeve që ato sjellin si rezultat i mungesës së studimit në një pjesë të mirë të tyre të kriterit gjeologjik, sizmik dhe gjeomekanik. Dëshira e fitimit i ka nxitur ndërtuesit të ndërtojnë ndërtesat me shumë kate në dy dekadat e fundit”, shton më tej Mustafa, duke thënë po ashtu se shumë ndërtesave në vitet e fundit nëpër zona urbane, përdhesat e bodrumet janë adaptuar për shfrytëzime komerciale, duke ua cenuar ose larguar në tërësi elementet mbajtëse, ndërsa në nivel të kulmit janë bërë mbindërtime. Të gjitha këto, sipas tij janë bërë pa ndonjë analizë, projekt apo miratim nga institucione relevante.

Më tej Mustafa ka sqaruar se mikrozonimet e qyteteve në Kosovë nuk janë kryer, gjë që u takon nivele lokale lokale të qeverisjes.

Kjo gjë bëhet duke ua kushtëzuar investitorëve që në projektimet e tyre të merren parasysh vlerat e parametrave të rezultuara nga studimet mikrosizmike për lokacionet që planifikohen ndërtimet e larta.

“Nuk janë krye mikrozonimet e qyteteve, për të përcaktuar më saktë kushtet gjeologo-inxhinierike dhe gjeoteknike të sheshit të ndërtimit si dhe klasifikimin e truallit. Ekziston rreziku për një objekt të lartë që nuk ka marrë parasysh sizmicitetin aktual të truallit dhe nuk përjashtohet mundësia që të shembet në rastin e një tërmeti shumë të fuqishëm. Po ashtu, objektet e larta dëmtohen nga tërmetet e largëta. Kjo do të thotë se nëse një ndërtesë 8 kat – 20 kat është ndërtuar në Prishtinë dhe tërmeti ndodh jashtë kufijve të Kosovës, ai mund ta dëmtojë këtë objekt nëse nuk janë marrë parasysh parametrat e truallit (faktori i dheut, perioda, frekuenca) dhe  potenciali i një zone të largët”, ka deklaruar Mustafa për KALLXO.com.

I vetmi qytet në Kosovë që ka mikrozinim sizmik është Gjilani. Mikrozinimi i këtij qyteti është bërë pas goditjeve 8 ballëshe që i mori në vitin 2002.

Për Mustafën shumë ndërtesa në Kosovë nuk përbëjnë siguri për banorët për shkak se pavarësisht cilësisë të projektimit, nuk kanë ndikim në intensitetin, kohëzgjatjen dhe natyrën dinamike të tërmetit.

Ai ka sqaruar se mënyra se si reagojnë objektet nën veprimin e forcës sizmike varen nga shumë faktorë si natyra e lëkundjeve të tokës, sistemin strukturor mbajtës, materialet e përdorura, mënyrën e  ndërtimit.

Edhe në Sllovaki të gjitha ndërtimet bazohen sipas EUROCODE 8, ndërsa ky shtet ka harta  sizmike që nga viti 2010.

Sllovakia është një vend me aktivitet të moderuar sizmik. Ndërsa ky shtet nuk ka zona të ndara të ndërtimit sipas sigurisë. Nëse procedurat e ndërtimit dhe standardet tekniko-konstruktive (Eurokodi 8) respektohen, ndërtimi është i sigurt në tërë territorin e Sllovakisë. Harta për rrezik serizmik në territorin e Sllovakisë ishte përgatitur në vitet 2010-2012. Por me progresin e njohurive llogaritja e re metodologjia ishte zhvilluar, prandaj është e përshtatshme të kryhet një llogaritje e re e rreziku sizmik i territorit të shtetit çdo 10 deri në 15 vjet. Sllovakia përkundër Kosovës ka një katalog të makro- tërmetet e vëzhguara në mënyrë sizmike që nga viti 1034, i cili përmban të dhëna për më shumë se 650 tërmete që patën efekte makro- sizmike.

Në anën tjetër në Republikën Çeke nuk ka ndonjë dokument që i përcakton zonat e rrezikut nga tërmetet. Të gjitha ndërtimet duhet të bazohen në standardin EUROCODE 8.

Bazuar në Eurokodet të gjitha vendet e ndërtimit i nënshtrohen të njëjtit proces miratimi dhe vlerësimi nga autoriteti relevante. Projektimi gjeoteknik dhe projekti i procesit të ndërtimit kundër tërmetit është i rregulluar nga eurokodi EN 1998 dhe 1999. Nuk është një rregullore ligjore, por specifikim teknik që rregullon procesin e ndërtimit dhe planifikimin e tij. Si pjesë e eurokodeve të lartpërmendura, ekziston dokumenti strategjik në formën e rregullore teknike për ndërtesat shumëkatëshe, urat, oxhaqet etj. Rregullorja përqendrohet në rekomandim teknik siç është izolimi i ndërtimit nga toka / toka, mjet për thithjen e energjisë kinetike të shkaktuar nga aktiviteti i mundshëm sizmik.

Tërmetet janë dukuri e rrallë në Poloni dhe nuk ka zona aktive të tërmeteve. Sikurse në Kosovë e Sllovaki edhe ndërtuesit polak duhet të bazojnë projektimet e tyre në standardin EUROCODE 8.

Si zonë, Polonisë nuk është prekur sizmologjikisht, ligji aktual është zbatuar mbi standardet e BE për sizmologjikën. Rregulloret e sigurisë janë dhënë në Rregulloren e Ministrisë së Infrastrukturës i 12 Prillit 2002, që nga viti 2004 Polonia është e detyruar të zbatojë Standardet Evropiane të ndërtimit.

Edhe shteti hungarez nuk është i rrezikuar nga tërmetet, vetëm legjislacioni kombëtar mban rregulloret specifike të projektimit të tërmeteve në pajisjet e mbetjeve bërthamore dhe toksike. Sikurse edhe shtetet e tjera, Hungaria përdor standardin EUROCODE 8 si standard hungarez për të gjitha ndërtesat.

Edhe në Hungari nuk ka ndarje të zonave me aktivitete aktive sizmike.

Gjatë periudhës pas viteve 2000, Kosovën e kanë goditur tre tërmete të fuqishme të mëdha. Në qytetin e Gjilanit në vitin 2002 me intensitet në epiqendër 8 ballë. Tërmeti i Istogut, i vitit 2010 me intensitet në epiqendër 7 ballë dhe i fundit, Tërmeti i Vushtrrisë në vitin 2013.

KALLXO.com ka raportuar se shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar fatkeqësie natyrore.

Sipas Departamentit për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilët janë përgjegjës për sigurimin e hapësirës së përshtatshme dhe adekuate si për zhvillimin e procesit mësimor në Kosovë janë rreth 60 shkolla të amortizuara që kanë dëmtime në strukturën e ndërtimit.

Në anën tjetër, janë vetëm 394 shkolla në Kosovë që kanë dalje emergjente, ndërsa nga këto shkolla, janë vetëm 165 shkolla që kanë shkallë emergjente.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për mungesën e kodit të ndërtimit dhe sigurinë e ndërtesave shumëbanesore.

Sipas hulumtimit, në Kosovë për mbi 300 mijë objekte pa leje ka filluar procesi i legalizimit 20 vjet pas luftës, ndërsa deri në fund të muajit tetor janë bërë 1656 legalizime. Ky numër i madh i ndërtimeve pa leje, ndër vite është ngritur si shqetësim, jo vetëm për shkak të dëmtimit të infrastrukturës urbane, por edhe për shkak të sigurisë së qytetarëve, pasi që ndërtimet janë zhvilluar pa mbikëqyrjen e organeve gjegjëse.

Më 5 shtator 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës, ndërsa fushën e ndërtimit në Kosovë e rregullon Ligji për Ndërtim, i cili ligj e obligon Qeverinë që të miratojë edhe kodin unik shtetëror të ndërtimit.

“Ky ligj e obligon qeverinë që ta miratojë edhe një akt nënligjor i cili quhet Kodi unik i ndërtimit mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar nga Qeveria edhe pse një version është hartuar nga ish Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com ka kontaktuar me komunat e Kosovës të cilat kanë deklaruar se Kosova nuk ka ndonjë kod ndërtimi, por të gjitha lejet për ndërtim jepen sipas Eurocode 8.

KALLXO.com ka raportuar edhe për sigurinë e vendpunishteve dhe jetët e humbura në punë në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas institucioneve, vdekjet në punë ndodhin si pasojë e mosedukimit të punonjësve për rreziqet në vendin e punës.