Danilo Mandiq

“Mafiet kanë rëndësi”: Libri i ri analizon ndikimin që ka krimi i organizuar te separatizmi

Krimi i organizuar nuk është thjesht një simptomë e konflikteve separatiste, por një agjent aktiv, thotë për BIRN Danilo Mandiç, akademik në Universitetin e Harvardit.

 

Nga mallrat e kontrabanduara në një treg të hapur në Gjeorgji deri te gangsterët e paguar në Kosovë, një libër i ri nga një akademik i Harvardit argumenton duke mos qenë thjesht një nënprodukt i një konflikti, krimi i organizuar ka ndihmuar në përcaktimin e rrjedhës së betejave separatiste kudo në botë.

Në “Gangsterë dhe shtetarë të tjerë”, që pritet të dalë në dhjetor, pedagogu i sociologjisë në Harvard dhe studiuesi post-doktoraturë Danilo Mandiç argumenton se separatistët dhe shtetet që përpiqen t’i shkatërrojnë ata, kërkojnë secili “të “instrumentalizojnë” mafiet për të ndikuar në rrjedhën e një konflikti.

Duke analizuar lëvizjet separatiste në 16 vende në Ballkan, Europën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Perëndimore, Mandiç sfidon mendimin e përgjithshëm konvencional që priret të “minimizojë rëndësinë e krimit të organizuar”.

Në Kosovë, shprehet ai, “mafiet” luftuan në të dyja anët e luftës së viteve 1998-1999, dhe bandat e krimit të organizuar sot kanë një interes të madh për t’i mbajtur të diskutuara kufijtë e shtetit më të ri të Europës.

“Gjetjet kryesore mund të përmblidhen në dy fjalë”, tha Mandiç për BIRN. “Mafiet kanë rëndësi.”

Kontrabandë mallrash dhe ndërtimi i paqes

Duke krahasuar rajonin e ndarë të Osetisë së Jugut në Gjeorgjinë  ish-sovjetike dhe Kosovën, ish-provincën e Serbisë, 34-vjeçari Mandiç argumenton në librin e tij se krimi i organizuar ka ndikuar në rrjedhën e secilit konflikt.

Në Osetinë e Jugut, e cila luftoi për të refuzuar sundimin nga Tbilisi me rënien e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990, Mandiç nënvizon rëndësinë e një tregu të hapur që merret me mallra të kontrabanduara dhe të vjedhura.

Tregu, në një pjesë toke midis Osetisë së Jugut dhe Gjeorgjisë, filloi të zhvillohej në mesin e viteve 1990 si një pikë tregtare informale kryesisht midis gjeorgjianëve dhe banorëve të  Osetisë së Jugut, duke lehtësuar kontrabandën e dhjetëra miliarda dollarëve mallra në tregun gjeorgjian çdo vit.

Tregu, tha Mandiç, “shkelte të gjithë sovranitetin dhe ligjet e Gjeorgjisë”, por gjithashtu i dha mundësinë gjeorgjianëve të thjeshtë dhe banorëve të Osetisë së Jugut të takoheshin dhe të rindërtonin marrëdhëniet e tyre pas viteve të luftës.

“Ai bëri më shumë për ndërtimin e paqes dhe për bashkëpunimin ndëretnik sesa qe në gjendje të bënte komuniteti ndërkombëtar dhe vetë Gjeorgjia dhe Osetia e Jugut në mënyrë të pavarur”, tha Mandiç.

Gjeorgjia, nën drejtimin e presidentit të atëhershëm pro-perëndimor Mikheil Sakashvili e mbylli tregun në vitin 2004, duke u përpjekur të ndërpriste të ndërpriste të ardhurat për lidershipin separatist të sponsorizuar nga rusët në Osetinë e Jugut dhe duke u përpjekur ta kthente opinionin publik kundër tij. Operacioni solli pikërisht të kundërtën e kësaj dhe ndihmoi në përkeqësimin akoma më tej të marrëdhënieve. Në vitin 2008 shpërtheu përsëri lufta.

Mafia përballë mafies

Në Kosovë, Mandiç, i cili lindi dhe u rrit në Beograd, përshkruan një konflikt në fund të viteve 1990 midis “mafies me uniformë” dhe “mafies rebele”.

E para ishte në anën serbe – bosë mafiozë, kontrabandistë, të burgosur dhe kriminelë të punësuar nga Beogradi si paraushtarakë për të kryer “punën e pistë” në përpjekje për të shtypur një kryengritje guerile etnike shqiptare në provincën e atëhershme jugore të vendit.

Në anën tjetër ishte Ushtria guerile Çlirimtare e Kosovës, UÇK, të colën Mandiç e përshkruan si “një mafie të vogël rebele, tepër etnocentrike, me ankesa shumë të forta nacionaliste, me ambicie për të ndryshuar rrjedhën ekzistuese të lëvizjes separatiste kosovare të mishëruar te Ibrahim Rugova ”, arkitekti i një dekade të tërë rezistence pasive shqiptare të Kosovës ndaj shtypjes serbe që nga fundi i viteve 1980.

“UÇK-ja fillestare dukshëm mbështetej jo vetëm te narkotrafiku, por edhe te kontrabanda e armëve”, tha Mandiç, aktivitete që i lejuan guerilët ta zëvendësonin Rugovën në timonin e makinës drejt pavarësisë së Kosovës.

Kjo qasje midis lëvizjeve separatiste dhe krimit të organizuar jo domosdoshmërish i delegjitimizon ato lëvizje, theksoi Mandiç.

“Fakti që shumë lëvizje separatiste i arritën qëllimet e tyre në partneritet me grupe të organizuara kriminale nuk i atribuon apo diskrediton ankesat e separtistëve”, tha ai.

“Dua të them se mafiet kanë rëndë dhe gjithashtu, si për habi, efekti i tyre shpesh nuk është domosdoshmërish për shpërbërje, paqëndrueshmëri dhe kaos. Është shumë e rëndësishme të merren në konsideratë efektet që mafiet mund të kenë në një kontekst separatist.”

Interesa të mëdha në vazhdimin e konfliktit

Para luftës në Kosovë 1998-1999, krimi i organizuar luajti një rol të rëndësishëm diku tjetër në ish-Jugosllavi në luftërat në gjysmën e parë të dekadës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci, ku forcat armike dihet se kanë shkëmbyer armë me njëra-tjetrën, një tregti që ndihmoi në vazhdimin e luftës.

“Kur vjen fjala tek kontrabanda e armëve, ka shumë punë në masën në të cilën u zgjat lufta, u zgjat në mënyrë aktive dhe dhuna futet në një lloj rruge qorre nga skema të ndryshme kontrabande të forcave kroate, boshnjake dhe serbe që shkëmbenin armë me njëri-tjetrin”, tha Mandiç.

Trende të ngjashme mund të shihen sot në Kosovë, tha ai, ku bandat e krimit të organizuar në secilën anë të përçarjes etnike serbo-shqiptare bashkëpunojnë për të shfrytëzuar, sidomos, statusin e mjegullt të një xhepi të vogël me shumicë serbe në veri dhe refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet i pavarur.

Kufijtë e kontestuar ofrojnë terren pjellor për grupet e krimit të organizuar, të cilët nga ana e tyre kanë interesa të mëdha në zgjatjen e këtij konflikti.

“Konflikti i ngrirë nuk është diçka e keqe për të gjithë”, theksoi Mandiç. “Ka një lloj interesi dhe nxitje të vazhdueshme, disa njerëz e quajnë këtë “një nxitje perverse”… për të ruajtur status quo-në e të ashtuquajturit konflikt i ngrirë.”

“Është e habitshme që disa grupe të caktuara interesi, përkatësisht mafia, kanë një interes të madh që kufijtë të kontestohen, sepse nëse kjo ndodh ata kanë më shumë fitime në krahasim me nëse ata rregullohen, qoftë edhe nëse rregullohen keq.” / Ballkan Insight