Foto: Kallxo.com

Lutfi Haziri dëshmon në komision hetimor për rastin e Agon Musliut

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është duke dëshmuar në Komisionin hetimor Parlamentar për pandeminë për të folur për rastin e Agon Musliut, të riut nga Gjilani i cili vdiq në karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve në fillim të majit të këtij viti, një ditë pasi ishte kthyer nga Gjermania.

“Gjilani dhe Kosova ka humbur një djalë të ri student të shkëlqyer që kishte nisur hapat në Gjermani”, tha Haziri në fillim të dëshmisë së tij.

Ai ka treguar se si ishte kontaktuar Naim Musliu, nga babai i të ndjerit, gjatë kohës sa Agoni ka qenë në Gjermani.

“Në fund të muajit prill më ka kontaktuar babai i tij ku më ka njoftuar për djalin e tij Agon Musliu, ai më ka kërkuar që të angazhohem për kthimin e djalit të tij pasi kishte mbetur vet në banesë. E kam telefonuar ambasadorin e Kosovës ne Gjermani Beqe Cufaj lidhur me rastin”, tha Haziri.

Ai shtoi se pas disa ditësh, babai i Agon Musliut e kishte kontaktuar sërish përmes telefonit për t’i kërkuar që t’i bëhet e mundur të shkojë në Aeroportin e prishtinës për ta pritur të birin.

“Babai i Agonit nuk ka diskutuar me mua problemet shëndetësore të djalit të tij, dhe nuk kam pranuar ndonjë dokument. Pastaj babai i tij ka bërë kërkesë edhe në qendrën operative pasi djali i tij nuk ka qenë mirë”, tha Haziri.

Ai tha se Agon Musliu “ka pasur dokumentacion që të mos i nënshtrohet karantinimit”.

“Unë personalisht e kam mbështetur karantinën si politikë, por jo në formën që ka ndodhur”, tha Haziri.