Lufta Izrael - Hamas: Shefi i Hamasit pritet të shkojë në Egjipt për bisedime mbi armëpushimin

Udhëheqësi i Hamasit do të shkojë në Egjipt të mërkurën për bisedime mbi një armëpushim të ri në Gaza pasi Izraeli zyrtar ka thënë se është i gatshëm të bie dakord për një pauzë tjetër në këmbim të më shumë pengjeve.

Shefi i Hamasit me bazë në Katar, Ismail Haniyeh, pritet ta udhëheqë një delegacion të “nivelit të lartë” për bisedime me shefin e spiunazhit të vendit dhe të tjerë mbi “ndalimin e agresionit dhe luftës për ta përgatitur një marrëveshje për lirimin e të burgosurve”- ka thënë për Agence France-Presse një burim i afërt me grupin militant palestinez.

Presioni ndërkombëtar po rritet për një armëpushim të ri që mund ta rrisë ndihmën humanitare në territorin e goditur palestinez, me Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë për një armëpushim urgjent pasi votimi u shty për herë të dytë mes dallimeve të raportuara politike brenda qeverisë amerikane.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e udhëhequr nga Hamasi ka thënë të martën se 19,667 palestinezë janë vrarë dhe 52,586 janë plagosur deri më tani.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka deklaruar se operacioni tokësor izraelit do të “zgjerohet në zona të tjera” të Rripit të Gazës. Mendohet se ai i referohej Rripit qendror të Gazës ose qytetit jugor të Rafahut.

Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik Palestinez ka publikuar një video që pretendon se tregon dy pengje që u morën në Gaza gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit. Videoja e postuar nga Brigadat al-Quds vjen një ditë pasi krahu ushtarak i Hamasit publikoi video-pamjet përmes të cilave pretendohej se shfaqeshin tri pengje të moshuara izraelitë të mbajtur në Gaza.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ka këmbëngulur në neutralitetin e organizatës dhe ka thënë se kritikat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë operimin në luftën Izrael-Gaza. Organizata e Kryqit të Kuq me seli në Zvicër është akuzuar nga të dyja palët në konflikt se nuk ka ofruar ndihmën e duhur për ata që mbahen peng./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala