Lista Serbe kërkon zgjedhje në veri, flet kryetari i Zubin Potokut

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka komentuar paralajmërimin e Listës Serbe (LS) për të marrë pjesë në zgjedhjet në 4 komunat veriore.

Për KALLXO.com, Zeqiri ka thënë se një paralajmërim i tillë duhet të merret me rezervë.

“Unë e shoh si një vullnet qytetar i shumicës serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, nëse është diçka serioze, por kjo do studim. Mirëpo sa i përket kërkesës për dorëheqje, nuk vjen në konsiderim që nëse thonë – jep dorëheqje, ne të japim”- ka thënë ai.

Ai nuk ka konfirmuar nëse do të jetë përsëri kandidat për të parin e Zubin Potokut, nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Nuk e di, të them të drejtën, ne si parti të gjitha herët kemi qenë në gara, mund të kandidoj por me siguri do të ketë kandidatura nga PDK” – tha Zeqiri për KALLXO.com.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe sot ka thënë se do të marrë pjesë në organizimin e zgjedhjeve të paralajmëruar në 4 komunat me shumicë serbe.

Zgjedhjet në 4 komunat veriore janë mbajtur më 23 prill, por këto zgjedhje u bojkotuan nga Lista Serbe.

Drejtimin e Zveçanit e mori PDK me kandidatin Ilir Peci, në Mitrovicën e Veriut fitoi LVV me Erden Atiq, edhe në Leposaviq fitoi LVV me Lulzim Hetemin ndërsa në Zubin Potok ftoi Izmir Zeqiri nga PDK.

Pjesëmarrja e qytetarëve serb në këto zgjedhje ishte shumë e ulët, dhe një pjesë e madhe e tyre asnjëherë nuk i kanë pranuar kryetarët e dalur nga këto zgjedhje.

Tentativa e kryetarëve të rijnë për të qeverisur nga objektet komunale u prit me protesta e dhunë nga qytetarët serbë.

Për të shtendosur situatën në veri, në Bratisllavë, kryenegociatori Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së për dialog Miroslav Lajçak arritën një marrëveshje.

Marrëveshja nënkuptonte që përveç zvogëlimit të prezencës policore në objektet komunale të organizohen edhe zgjedhjet e reja.

Lista Serbe ndryshon qëndrim, kërkon zgjedhje në katër komunat në veri