Presheva. Foto: BIRN

Liderët e shqiptarëve në Serbi mohojnë të kenë pasur një marrëveshje mbi adresat e fshira

Kreu i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi hedh poshtë pretendimin e ministrit të qeverisë se të dyja palët kishin rënë dakord që Serbia të mos i fshijë adresat e shqiptarëve nga Serbia jugore “në mënyrë të organizuar”.

Përfaqësuesit etnik shqiptarë në Serbi, kanë thënë për BIRN se nuk e kanë arritur ndonjë marrëveshje me Qeverinë serbe për fshirjen e pretenduar të adresave të shqiptarëve në jug të vendit, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve qeveritarë.

“Nuk ka asnjë marrëveshje, apo ndonjë aranzhim”, ka thënë për BIRN Ragmi Mustafi, Kreu i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi.

Ministrja serbe e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe e Dialogut Social, Gordana Çomiç ka thënë për “Bujanovacke “, media lokale në Bujanoc të mërkurën se “Nuk ka asnjë fshirje të organizuar të adresave të shqiptarëve në Serbi dhe nuk ka asgjë tjetër veçse zbatim i ligjit për vendbanim”.

“Për këtë kemi rënë në dakord me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve”, shtoi Çomiç.

Mustafi hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje dhe tha për BIRN se “Nëse diçka e tillë është konfirmuar, unë do të jap dorëheqje”.

Ai tha se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka ofruar “ndihmë juridike falas”, sapo mblodhi të dhëna për fenomenin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në tri komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, e ashtuquajtura Lugina e Preshevës.

“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka filluar tashmë një proces gjyqësor në Gjykatën Supreme të Beogradit, për rastin e “pasivimit” të adresës së Safet Demirit nga Medvegja , me qëllim që rastin ta dërgojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e njeriut”, ka thënë Mustafi.

BIRN ka raportuar edhe në të kaluarën se adresat e mijëra shqiptarëve  nga Lugina e Preshevës, konsideroheshin se nuk jetonin më në adresat e tyre të regjistruara, të cilat klasifikoheshin si joaktive.

Shumë shqiptarë janë larguar nga zona e pazhvilluar kufitare në vitet e fundit, duke kërkuar perspektiva më të mira në shtetin fqinjë, Kosovën apo edhe në vende tjera.

Ekspertët dhe politikanët shqiptarë thonë se fshirja e adresave të tyre serbe është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe është bërë për të ndryshuar artificialisht përbërjen zyrtare etnike lokale dhe përfaqësimin e tyre politik.

Rajoni kufitar shumë-etnik dy dekada më parë një përleshje midis rebelëve shqiptarë dhe forcave serbe të sigurisë si pasojë e luftës në afërsi Kosovës.

“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka mbështetur pretendimet e shqiptarëve dhe e quajti atë “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”.

Në maj të këtij viti, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani tha për BIRN se fshirja e adresave të shqiptarëve në Serbi ishte një “përpjekje për spastrim etnik” dhe kërkoi që çështja e shqiptarëve në tre komunat serbe të bëhej pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të marsit të 2021, raportuesit e Kosovës dhe Serbisë për Brukselin thanë se BE do të hetonte nëse Serbia po i klasifikon adresat e shqiptarëve në Serbi, që jetojnë jashtë vendit, si “joaktive”.

Në dhjetor të vitit 2020, BIRN raportoi rastin e një shqiptareje, Teuta Fazliu nga Bujanoci, e cila e kishte dërguar rastin e saj në Gjykatën Administrative të Serbisë.

Fazliu i tha BIRN të premten që pothuajse një vit më vonë, se çështja ishte ende në Gjykatën Administrative dhe nëse vendimi do të jetë kundër saj, ajo do ta dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila përcakton nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.

“Unë do ta ndjek çështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” u zotua ajo.

Qeveria serbe dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve janë ende duke negociuar për çështjen e fshirjes së adresave, të ndërmjetësuara nga misioni i OSBE-së në Serbi dhe sipas Mustafit, 23 ambasadorë të huaj, përfshirë edhe ambasadorin e BE-së në Serb.

BIRN ka kontaktuar misionet e OSBE-së dhe BE-së në Serbi në lidhje me pretendimet e Coci-t, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij artikulli./BalkanInsight