Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – Foto: Vjosa Osmani/ Facebook

Liderët e Kosovës e urojnë Frank-Walter Steinmeierin pas rizgjedhjes në postin e presidentit të Gjermanisë

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë uruar Frank-Walter Steinmeierin pas rizgjedhjes në postin e presidentit të Gjermanisë.

“Pres ta vazhdojmë bashkëpunimin për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gjermanisë, të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane nga të cilat do të përfitojnë popujt e dy vendeve tona”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në Twitter.

Edhe kryeministri Albin Kurti e ka uruar Frank Walter Steinmeier për rizgjedhjen e tij përmes një postimi në Twitter.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në urimin e tij ka shfrytëzuar rastin që t’u shprehë presidentit Steinmeier, Qeverisë dhe Parlamentit gjerman mirënjohjen e thellë për gjithë çfarë kanë bërë për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

Frank-Walter Steinmeier është rizgjedhur sot edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar.

66-vjeçari mori më shumë se dy të tretat e votave të një asambleje zgjedhore e përbërë nga politikanë, figura të shoqërisë civile dhe njerëz të famshëm.