Kushtetuesja vendos lidhur me kërkesën e 10 deputetëve për ligjin për zyrtarët Publik

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2022 e kishte miratuar propozimin që shqyrtimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhej me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.

Lidhur me miratimin e këtij ligji nuk ishin pajtuar deputetët e Opozitës dhe ligjin në fjalë e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Inicuesit e kësaj kërkese janë Arben Gashi nga radhët e LDK-së dhe nëntë deputetë të tjerë. Gjykata kushtetuese këto kërkesa i kishte deklaruar si të pranueshme.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se ligji në fjalë në procedurën e miratimit të ligjit nuk është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kushtetutës së Kosovës.

“Konstatoj që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”- thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Kurse lidhur me përmbajtjen e ligjit, me kriterin e përshtatshmërisë, Kushtetuesja gjeti se nuk është në përputhje me Barazinë para ligjit dhe vlerat e Kushtetutës.

“Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata, njëzëri ka vendosur që (i) kriteri i “përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”- thuhet tutje në Vendimin e Kushtetueses.

Parashtruesit e kërkesave, në thelb kishin pretenduar që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar është në kundërshtim dispozitat e Kushtetutës.

Parashtruesit e Kërkesës kishin pretenduar se ligji në fjalë cenon parimet kushtetuese që ndërlidhen me shërbimin civil/administratën publike me theks në pavarësinë e institucioneve të pavarura, përmes mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv.

Tutje në kërkese parashtruesit e kërkesës kishin ngritur çështjen se ky ligj cenon të drejtat dhe liritë themelore të zyrtarëve publik, me theks, në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese.

Kushtetuesja tutje sqaron se me aktgjykim ka kufizuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar në fushëveprimin e dispozitave të kontestuara nga parashtruesit e kërkesës.

“Aktgjykimi më tej sqaron që Gjykata (i) e ka kufizuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar në fushëveprimin e dispozitave të kontestuara nga parashtruesit e kërkesës dhe atyre të ndërlidhura me to; dhe (ii) përgjatë këtij vlerësimi, ndër tjerash, ka shtjelluar dhe aplikuar parimet e përgjithshme të vendosura nga Gjykata, me theks në Aktgjykimin në rastin KO203/19, përkitazi me vlerësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJENDJ), Opinionet dhe Raportet relevante të Komisionit të Venecias, përfshirë edhe kontributin e gjykatave kushtetuese dhe/ose ekuivalentëve përkatës anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, si dhe parimet themelore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD/SIGMA) për administratën publike”- thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Detaje më të hollësishme lidhur me vendimin e Kushtetueses mund t`i lexoni duke klikuar këtu- LINK

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2022 e kishte miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme. Pro këtij propozimi votuan 64 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër, as abstenime.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.