Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK premton ndërtimin e katër muzeve përfshirë edhe Muzeun e Luftës dhe Paqes

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fahredin Spahija në #DebatPernime ka shpalosur programin e LDK-së në fushën e kulturës.

Spahija tha se kanë paraparë ndërtimin e katër muzeve në Kosovë, duke pas prioritet Muzeun e Luftës dhe Paqes.

“Kemi paraparë ndërtimin e një varg muzeve si Muzeu i Artit Bashkëkohor, Muzeu Arkeologjik, Muzeu Etnologjik, Muzeu i Historisë së Natyrës  dhe Muzeu i Luftës dhe Paqes. Prioritet do të jetë i luftë si paqes ku do të pasqyrohen të gjithë shqiptarët dhe komunitetet tjera. Do të përfundojë brenda mandatit”, deklaroi Spahija.

Spahija tha se kanë paraparë konservimin dhe ruajtjes së begatisë kulturore në Kosovë dhe në kuadër të cilit hynë edhe trashëgimia e luftës si memoriali Adem Jasharit dhe memorialet tjera.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burbuqe Bakija Deva nga AAK, Fahredin Spahija e Avdi Pireva nga LDK dhe Anesa Qolakoviq nga NDS.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.