Liburn Aliu - opozitës: Jam i zhgënjyer, kam pritur rezolutë

Liburn Aliu, deputet i LVV-së, u shpreh i zhgënjyer me angazhimin e opozitës në seancën për tarifën të thirrur pikërisht nga ata.

Aliu tha qe ka pritur që në fund të këtij debati të këtë rezolutë.

“Unë mendova që ju këtu sot jeni organizuar dhe do të sillni një rezolutë nga e cila do të ketë një vendim. Nga ajo që pash unë jam i zhgënjyer dhe i shqetësuar, unë prita që do të dilni me një vendim sepse sipas jush bëhet fjalë për pushtim”, tha ai.

Sipas tij seanca mbi 10 orëshe nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

“Po durojmë fyerje e sharje, mirëpo shpresoja qe në fund të fjalimeve do të kemi vendime të qarta. Kjo sot ishte një spektakël që po përfundon pa produkt konkret”, tha tutje ai.

Sipas Aliut, është e ‘çuditshme’ lufta për meritat e vendosjes së tarifës.

“Kur vjen puna kush e qiti taksën ma i pari bohet presion mirëpo kur vjen puna tek presioni ka një tërheqje. Për ne është shumë e qartë, ne kemi thanë reciprocitet prej kohësh, është e vështirë”, tha ai.

Duke iu referuar impaktit të taksës, Aliu tha që reciprociteti si masë është shumë me i fuqishëm.

“Dua që kur të hiqet taksa të jetë i vendosur reciprociteti. A kalon Serbia a nuk kalon, me reciprocitet nuk kalon, por me taksë nëse paguan kalon”, theksoi ai.

Kjo seancë e jashtëzakonshme është thirrur nga deputetet e opozitës pasi që kryeministri aktual Albin Kurti javën e kaluara kishte prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.