Lansimi i Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit. FOTO: KALLXO.com

Lansohet Strategjia Shtetërore Kundër Korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lansuar sot Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës në fjalimin e tij tha se me hartimin e kësaj strategjie shtrohet rruga drejt një shoqërie të çliruar nga korrupsioni.

“Sot po e hapim së bashku takimin e parë të punës për hartimin e Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit. Ne duam etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, ryshfetit dhe kontratave me këmbim të parave… Meritokracia, e drejta dhe rregullat e qarta e transparente bëhen parime bazë për punën e administratës serioze, profesionale e llogaridhënëse”- u shpreh kryeministri.

Sipas Kurtit, gjatë kësaj qeverisjeje dy vjeçare ka rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës.

“(Kjo) ka rezultuar me arrestimin e mbi 3200 personave prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publik, e 38 të arrestuar vetëm në rastin e keqpërdorimeve me subvencione…. Korrupsioni ka lënduar shoqërinë tonë duke minute institucionet demokratike, besimin e qytetarëve por edhe progresin tonë si shtet” – tha ai.

Lansimi i Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit. FOTO: KALLXO.com

Shefi i ekzekutivit theksoi se është detyrë e tyre që përmes reformës institucionale ta ruajnë pasurinë natyrore, buxhetin shtetëror, të sigurojnë transparencë në  punën e institucioneve duke fuqizuar edhe deklarimin e pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë.

“Në veçanti duhet të kthejmë vëmendjen nga prokurimi publik ku çdo kompani e papërgjegjshme vihet në listën e zezë…. Zëri i qytetarit duhet të dëgjohet nga të gjithë e kjo nënkupton përkushtim në detyrë…” – tha ai.

Kurti tutje u shpreh se suksesi i kësaj strategjie do të varet nga përkushtimi dhe angazhimi i të gjithë akterëve.

Në anën tjetër, Hekuran Murati, Ministër i Financave dhe udhëheqës i komisionit qeveritar për këtë strategji cilësoi se sot po shënohet një ditë e rëndësishme në përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin.

“Sot po shënojmë një ditë të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin, ashtu siç e kemi premtuar. Përmes kësaj strategjia synojmë luftimin e korrupsionit nga të gjitha anët duke organizuar një strukturë që nuk lejon korrupsionin. Rruga drejtë luftimit kërkon angazhim dhe vullnet të palëkundur të cilin si Qeveria e kemi dëshmuar tashmë”- tha Murati.

Lansimi i Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit. FOTO: KALLXO.com

Në shkurt të këtij vitit, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për themelimin e strukturave për Hartimin e Strategjisë kundër korrupsionit.

Komisioni ministror për hartimin e kësaj strategjie ka këtë përbërje, Hekuran Murati kryesues dhe anëtarë Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvnolli.

Kryeministri Kurti pati thënë se ministrat do të hartojnë strategjinë deri në dhjetor të këtij viti dhe do të miratohet në qeveri deri në fund të këtij viti.

Ndërsa është zotuar se në qeveri kjo strategji do të miratohet deri në fund të këtij viti.

Në janar të këtij viti, Transparency International ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 84-ta nga 180 vende.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Kosova ka marrë 39 pikë duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.