Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

Lajçak: Mosbesim mes Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt normalizimit të raporteve

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten se palët nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“Të dyja palët na thonë: le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ‘ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka’, hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”.

Duke folur në kuadër të “Forumit të Prespës për Dialog”, të mbajtur në Strugë të Maqedonisë së Veriut, Lajçak ka thënë se për të çuar përpara procesin, duhet të ketë pajtim, dialog, guxim dhe vizion.

“Gjëja më e mirë që mund të ndodhë me marrëveshjet e paqes është që ato të zbatohen sa më parë”.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më herët gjatë së enjtes, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Borrell e ka bërë këtë deklaratë në prag të një takimi me ministra të NATO-s.

“Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s shkon përtej Ukrainës. Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, ka thënë Borrell.

“E dini se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Borrell ka thënë se, aktualisht gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave dhe do t’i ftojë palët në një takim urgjent.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.

Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se fjala është për takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nuk është saktësuar nëse ky takim do të organizohet në kuadër të dialogut mes dy vendeve që e ndërmjetëson BE-ja.

Autoritetet në Kosovë e kanë dënuar ashpër këtë akt dhe i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të veprojë njëjtë.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit./REL