Ky është opsioni më pak i keq për Gazën pas përfundimit të luftës

Riokupim nga Izraeli? Vendosja e Autoritetit Palestinez në udhëheqje? Një ndërhyrje ndërkombëtare e stilit të Kosovës do të ishte më pak e keqe se të dy opsionet e mësipërme.

Izraeli ka paralajmëruar se lufta kundër Hamasit në Gaza mund të zgjasë me “javë dhe muaj”. Mirëpo, nëse fillimi i operacionit tokësor ka qenë i mjegullt, as objektivat e përgjithshme të Izraelit nuk janë plotësisht të qarta: Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ka thënë se qëllimet janë shkatërrimi i Hamasit dhe dhënia fund e të gjithë përgjegjësisë izraelite për Gazën. Të paktë janë ata që e dinë saktësisht se çfarë kuptimi kanë këto objektiva në praktikë. Mirëpo, fati afatgjatë i Gazës është çështja më shqetësuese nga të gjitha.

Spekulimet mbi planet e mundshme të Izraelit qojnë në dy rrugë apo dy opsione kryesore: Njëra është riokupimi i Rripit, duke përfshirë ose dëbimin e palestinezëve, sipas një dokumenti qeveritar të zbuluar, ose duke e kthyer Gazën në një “super-kamp” sipas një analisti ndërkombëtar që punon ngushtë me shoqërinë palestineze, pa lidership politik dhe vetëm ofrues të shërbimeve humanitare ndërkombëtare. Plani tjetër që Izraeli mund ta marrë në konsideratë është rifutja e Autoritetit Palestinez, një entitet të cilin palestinezët e urrejnë për qeverisjen e tij të papërgjegjshme dhe autoritare nga një organ që shihet si kuisling i Izraelit. I vetmi skenar tjetër është mosplani; Gaza rrëshqet në një konkurrencë të furishme të milicive të armatosura të paqeverisshme – ndryshe quhet Rezultati Mogadishu. Është një listë e shkurtër dhe e zymtë.

Opsioni Ndërkombëtar

Aktorët ndërkombëtarë nuk mund ta zgjidhin situatën. Mirëpo nga lista e shkurtër e opsioneve të këqija, një formë e ndërhyrjes ndërkombëtare mund të jetë më pak e keqja.

Kohët e fundit ka pasur një valë interesi për mundësinë e ndërhyrjes ndërkombëtare si një qasje alternative: Ish-ambasadori i SHBA-së në Izrael Dan Kurtzer e ka paralajmëruar mospërsëritjen e gabimeve të bëra nga Amerika në Irak; Ish-negociatori amerikan Dennis Ross parashikoi një administratë të përkohshme të drejtuar nga “teknokratët palestinezë – nga Gaza, Bregu Perëndimor ose diaspora – nën një ombrellë ndërkombëtare, e cila do të përfshinte kombe arabe dhe joarabe”. Në prestigjiozen Foreign Affairs, Steve Simon, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratat e Klintonit dhe Obamas, bëri thirrje për “administrim të përkohshëm” nën Kombet e Bashkuara nëpërmjet një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Timori Lindor gjatë periudhës së tij të gjatë të tranzicionit drejt pavarësisë është një shembull. Simon, si dhe kolumnisti i New York Times, Bret Stephens, e kanë përmendur gjithashtu Kosovën.

Përvoja e Kosovës kërkon disa hetime dhe sugjeron disa pika fillestare për krahasim. Në vitet 1990, ndërkohë që Jugosllavia u shpërbë, kjo e fundit e luftoi lëvizjen për pavarësi të nacionalistëve shqiptarë në Kosovë, krahina e dikurshme autonome brenda Serbisë. Nga fundi i viteve 1990, Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kapi armët në dorë, duke shkaktuar një reagim të furishëm dhe të dhunshëm nga forcat serbe dhe jugosllave, duke përfshirë dëbimin e mbi 800,000 shqiptarëve, si para ashtu edhe gjatë luftës në shkallë të gjerë me NATO-n. Në mars të vitit 1999, Shtetet e Bashkuara morën udhëheqjen në intervenimin ushtarak të NATO-s – i pari, por jo i vetmi ndryshim madhor midis dy rasteve – për t’i dëbuar efektivisht forcat jugosllave (serbe) nga Kosova.

Dilema e ditës së nesërme ishte e ngjashme: si të qeveriset Kosova, pasi që Republika Federale e Jugosllavisë mendohej se e kishte humbur të drejtën e saj për të sunduar, por pa e përcaktuar statusin përfundimtar politik të mosmarrëveshjes, e cila nuk mund të zgjidhej pikërisht atëherë. Pyetja tjetër ishte si të ruhej siguria – si të mbrohej Kosova nga agresioni serb dhe si të mbrohej pakica e serbëve që ende jetojnë në Kosovë nga kërcënimi i ndëshkimit të dhunshëm nga shqiptarët.

Në qershor të vitit 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, duke vendosur atë që në fakt ishte “qeverisje e përkohshme ndërkombëtare”, sipas fjalëve të Marc Weller, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, duke folur me telefon nga Britania e Madhe. Ai është gjithashtu një ish-ekspert i lartë i OKB-së për ndërmjetësim dhe ka këshilluar shumë procese paqeje, përfshirë Kosovën; për këtë të fundit Weller e ka shkruar një libër.

Në përgjithësi, Këshilli i Sigurimit i synonte dy anët kryesore, sigurinë dhe vetëqeverisjen. Pa e dekretuar statusin përfundimtar politik, rezoluta krijoi një “prani civile ndërkombëtare” që do të ndihmonte në organizimin dhe mbikëqyrjen e “zhvillimit të institucioneve të përkohshme për vetëqeverisje demokratike dhe autonome në pritje të një zgjidhjeje politike, duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve”.

Misioni përfshinte një forcë paqeruajtëse dhe Rezoluta 1244 i urdhëroi forcat e Jugosllavisë të largoheshin nga Kosova. Po ashtu e demilitarizoi UÇK-në. Forca luftarake shqiptare e Kosovës duhej të riintegrohej në shoqërinë civile dhe, gjatë fazës së tranzicionit, anëtarët e saj u lejuan të merrnin role administrative dhe policore, edhe pse Jugosllavia i konsideronte ata si terroristë. Për më tepër, rezoluta përcaktonte se Jugosllavisë i lejohej ta kthente një numër të kufizuar forcash të sigurisë, për nevoja të veçanta, duke përfshirë ndërlidhjen me misionet ndërkombëtare civile dhe paqeruajtëse (të sigurisë).

Zbatimi i këtij plani në Kosovë ka qenë kompleks, me rezultate të përziera. Statusi përfundimtar politik është lënë i hapur, dhe si rezultat, konflikti mbetet i pazgjidhur dhe ka pasur situata rrëqethëse të afërta të një konflikti të sërishëm. Mirëpo, Kosova gjithashtu ka ndërtuar institucione qeverisëse, është stabilizuar dhe e ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008. Pavarësisht nga incidentet alarmante të fundit, dhuna etnike nuk është ndezur që nga viti 2004. Simon, në Foreign Affairs, deklaron: “OKB-ja ka arritur sukses relativ [në Kosovë] në një mjedis të brishtë”.

Shumë gjëra mund të shkojnë keq

Në shikim të parë, ka dallime të mëdha që hedhin dyshime nëse përvoja e Kosovës është e aplikuseshme. Së pari, në Kosovë “forcat okupuese”, dmth, komuniteti ndërkombëtar, “janë mirëpritur si heronj çlirimtarë”- thotë Weller. Nëse Izraeli do të ripushtohej, është e qartë se ai do të perceptohej nga palestinezët si një armik epik – një formulë e shpejtë për katastrofë. Dhe nëse një mision ndërkombëtar në thelb do t’i mbështeste synimet e Izraelit, atëherë “prania ndërkombëtare do të shihej si një instrument për ta përjetësuar autoritetin e agresorit të perceptuar, Izraelit, veçanërisht në lidhje me funksionin e sigurisë dhe në lidhje me shtypjen e një ringjalljeje të Hamasit në territor”- thotë Weller. Një analist palestinez në rajon, i cili preferoi të mbetet anonim, thotë se “Besimi i palestinezëve në komunitetin ndërkombëtar do të jetë shumë, shumë, shumë i ulët. Ky besim veçse ishte tashmë shumë i ulët dhe do të jetë më i ulët tani”.

Nga ana tjetër, disa ekspertë juridikë palestinezë dhe analistë të politikave vënë në dukje se palestinezët kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në OKB prej vitesh. Omar Dajani, profesor juridik palestinez amerikan në Universitetin e Paqësorit dhe ish-negociator për palestinezët, thotë se “Palestinezët që kanë bërë thirrje prej kohësh për [aktorët ndërkombëtarë për t’i mbrojtur ata] do të ishin të hapur dhe madje entuziastë për këtë perspektivë”. Në intervista dhe biseda, disa figura të tjera të ligjit dhe politikës palestineze e thonë të njëjtën gjë.

Ka edhe pengesa të tjera të mprehta. Në vitin 1999, Rusia, aleate e betuar e Serbisë, e cila e kundërshtoi ashpër ndërhyrjen e NATO-s, megjithatë votoi në favor të Rezolutës 1244. Kina abstenoi; por as nuk e përdori të drejtën e vetos. Duke i pasur parasysh dinamikat e ndryshuara thellësisht politike në Këshillin e sotëm të Sigurimit dhe armiqësinë e thellë midis Rusisë, Kinës dhe fuqive perëndimore aktualisht, një kolegjialitet i tillë duket shumë më pak i mundshëm sot (ndonëse jo i pamundur).

Ndoshta pengesa më e frikshme për një mision ndërkombëtar është çështja e sigurisë – pra siguria izraelite. Pas shkeljes së territorit sovran izraelit dhe sulmit të tmerrshëm të Hamasit ndaj civilëve, Izraeli me siguri do të insistojë në vendosjen e kushteve të veta të sigurisë mbi Gazën – edhe pse vështirë se e ka demonstruar suksesin e tij për ta bërë këtë. Nëse Izraeli është kundër një misioni ndërkombëtar për shkak të shqetësimeve të sigurisë, SHBA-ja mund të jetë vendi që do ta përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit.

Dhe, në rast se miratohet një rezolutë që do të ishte e kënaqshme për Izraelin dhe SHBA-në, ajo ndoshta do të prodhojë një mision sigurie aq kufizues sa do të dukej si një pushtim tjetër, pa asnjë horizont për statusin përfundimtar në horizont. Gaza do të trajtohej si një entitet më vete në mendjen e Izraelit, sikurse sot. “Shqetësimet janë se kjo nuk mund të bëhet vetëm në Gaza… ajo mund ta forcojë lehtësisht paradigmën e ndarjes”- thotë Dajani, duke iu referuar politikës shumëvjeçare të Izraelit për ta shkëputur Gazën nga Bregu Perëndimor përmes kufizimeve të rënda të lëvizjes midis rajoneve dhe përmes thellimit të pykave politike midis Hamasit dhe Fatahut.

Izraeli gjithashtu e karakterizon gjerësisht Gazën si problemin e tij specifik ose e neglizhon atë tërësisht kur shqyrton çështjen më të madhe palestineze. “Në atë rast, një gjë e tillë do ta vendoste komunitetin ndërkombëtar në rolin e të qenit rojtar i burgut të Gazës dhe askush nuk duhet ta dëshirojë atë rol”. Në mënyrë të ngjashme, Michael Wahid Hanna, drejtor amerikan i Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe ekspert i Lindjes së Mesme, vë në dukje se edhe vendet arabe që dëshirojnë të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit do të turpërohen në një rast të tillë. “Cili vend arab do të pajtohej me këtë? Ju do ta nënkontraktonit pushtimin izraelit”.

E, megjithatë, nëse një mision ndërkombëtar ka si qëllim kryesisht rifutjen e Autoritetit Palestinez, sipas qëndrimit të Steven Simon, dhe, me sa duket, atë të administratës Biden, ekziston një rrezik real për ta përsëritur pikërisht atë që palestinezët kanë inat për Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor, thotë analisti i paidentifikuar palestinez. Ai përmend korrupsionin dhe mungesën e përgjegjësisë, por edhe shtypjen politike të njerëzve të lidhur me Hamasin në Bregun Perëndimor, gjë që i hidhëron palestinezët për procesin e supozuar demokratik. Ky problem duket i pazgjidhshëm: pas 7 tetorit, a është dikush i gatshëm të vëjë bast që integrimi politik i Hamasit mund ta bëjë atë më të moderuar? Mirëpo mbjellja e farave të një qeverie të rrënjosur, jopërfaqësuese, e të korruotuar nën Autoritetin Palestinez është ajo që e ka hapur skenën për fitoren e Hamasit në vitin 2006, në fillim.

Së fundmi, disa argumentojnë se është shumë herët për t’u shqetësuar për të ardhmën e pasluftës. Në këtë këndvështrim, e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet në një armëpushim, për t’i dhënë fund tmerreve që Izraeli po i shkakton popullatës së Gazës. Kjo mund të jetë e vërtetë, por e nesërmja e ka zakon të rrëmbehet fshehurazi ndërkohë që palët janë të papërgatitura.

Zbutja e një shtegu të trazuar

Një qasje ndërkombëtare është e mbushur me probleme, mirëpo opsionet tjera janë më të këqija. Sipas raporteve mediale, SHBA-së po ashtu po e shohin një përpjekje ndërkombëtare si një drejtim të besueshëm, megjithëse thashethemet për paqeruajtësit amerikanë në Gaza i kanë ndezur këmbanat e alarmit dhe një mohim të Shtëpisë së Bardhë. Pyetja më e rëndësishme, pra, është se çfarë lloj qasjeje ndërkombëtare merr formë; cilat parime duhet të miratohen për të ndihmuar që ky opsion të bëhet një opsion i vërtetë?

Analiza sugjeron disa parime të tilla. Së pari, duke u mbështetur në përvojën e Kosovës, misioni duhet ta bëjë dallimin ndërmjet instalimit ose prodhimit të një qeverie ndërkombëtare dhe ofrimit të gjithë mbështetjes së nevojshme për ta rindërtuar një formë të mirëfilltë përfaqësuese të qeverisjes që e reflekton, përfundimisht, vetëvendosjen palestineze.

Së dyti dhe në lidhje me të parën, është e dukshme që kaq shumë vëmendje është përqendruar në planet e Izraelit për Gazën. Izraeli e ka humbur, ose nuk e ka pasur asnjëherë, të drejtën për ta përcaktuar fatin e Gazës – këtë të drejtë e kanë palestinezët.

Së treti, siguria izraelite është një objektiv thelbësor, por që nuk u arrit nëpërmjet parimeve të Izraelit të 16 viteve të fundit – një pengesë më e madhe; inkurajimi i një regjimi shtypës e të dhunshëm; dhe asnjë horizont politik. Të gjitha këto dështuan.

Së fundmi, çdo qasje që i përshtatet vetëm Gazës është e dënuar. Kjo qasje e përjetëson kontrollin e Izraelit mbi fatin e palestinezëve, duke e miratuar politikën e ndarjes mes Gazës dhe Bregut Perëndimor të Izraelit, dhe e redukton Gazën në një problem sigurie me një zgjidhje teknike. Një qasje serioze ndërkombëtare duhet t’i trajtojë palestinezët si njerëz, të tillë çfarë janë.

Forca morale dhe roli historik i komunitetit ndërkombëtar – nëse ky term do të ketë ndonjë kuptim – varet nga fakti se ai komunitet mund të ndihmojë në ndërtimin e një shtegu më të mirë për të ardhmen./Newrepublic.com

Përgatiti: Nuhi Shala