Kuvendi zgjedh Nexhat Kryeziun anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së

Me 72 vota, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur që Nexhat Kryeziu të zgjedhet anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në votim kanë marrë pjesë 85 deputet, të pavlefshme 7 fletëvotime, kurse në garë kanë qenë 4 kandidat.

Esida Bujupi nuk ka marrë asnjë votë, Lulzim Ismajli ka marrë 5 vota, Nora Raci 1 votë.

Propozimin para deputetëve e bëri Amend Muja, kryetar i Komisionit për Buxhet të Kuvendit të Kosovës ka thënë se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit, komisionit iu janë rekomanduar 5 kandidatë: Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismaili, Nexhat Kryeziu dhe Nora Raci.

Por Muja ka njoftuar se sot nga gara është tërhequr një kandidate.

“Ne sot e kemi pranuar një kërkesë të protokolluar nga kandidatja Arta Hoxha e cila ka njoftuar se tërhiqet nga kandidatura. Aktualisht i kemi 4 kandidatura për këtë pozitë”, tha Muja.

Kjo pikë kishte mbetur e pashqyrtuar që nga seanca e 16 qershorit ku Kuvendi nuk kishte pasur kuorum për shqyrtimin e kësaj pike.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) Guvernatori dhe anëtarët jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore emërohen për një mandat prej pesë (5) vitesh. Këto mandate do të mbesin të shkallëzuara.

Asnjë anëtar i Bordit të Bankës Qendrore apo i Bordit Ekzekutiv nuk do të shërbejë për më shumë së dhjetë (10) vjet në këto Borde përkatëse; përveç në rast se një zëvendës guvernator emërohet si Guvernator, atëherë ai person do të ketë të drejtë për të shërbyer dy (2) mandate nga pesë (5) vjet si Guvernator.