Kuvendi pa kuorum, nuk hidhet në votim rezoluta e AAK-së për çështjet e sigurisë

Në mungesë kuorumi Kuvendi i Kosovës nuk e ka hedhur në votim rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës (AAK) për çështje të sigurisë së vendit.

Të pranishëm në sallën e Kuvendit kanë qenë vetëm 32 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të hedhur në votim rezolutën.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se kjo rezolutë do të hidhet në votim në një seancë tjetër.

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të AAK-së ka mbajtur sot debat parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

Rezoluta e AAK-së përmban këto pika:

1.Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta ketë prioritet të parë çështjet që lidhen me siguri;

2.Të miratohet dhe procesohet sa më shpejtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Strategjia e Sigurisë Kombëtare së Kosovës;

3.Ruajtja e Partneritetit Strategjik me SHBA në raport me forcimin e FSK-së;

4.Sigurimi i të gjitha kushteve logjistike dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjetet moderne;

5.Mbështetja e Fondit të Sigurisë;

6.Krijimi i tri kushteve minimale për Policinë e Kosovës: Pagë të dinjitetshme – miratimi i Ligjit të Pagave, sigurimi Shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, procedimi i Ligjit për Pensionim të Parakohshëm.

7.Mbështejta e vazhdueshme për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.