Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi diskuton për shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK-së, opozita kundër

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kuvendi diskuton për shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK-së, opozita kundër

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka lexuar emrat e propozuar për shkarkim.

Deputetja e LVV-së, Doarsa Kica-Xhelili njëherësh edhe kryesuese e Komisionit për Administratë Publike tha se anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) nuk e kanë ushtruar funksionin në mënyrë të paanshme, prandaj edhe duhet të shkarkohen.

“Komisioni ka iniciuar procedurën për shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli duke u bazuar në nenin 15 paragrafi 1 pika 1 dhe 3 për shkelje të dispozitave të KPMShCK-së dhe rastet e kryerjes së detyrave në papajtueshmëri me funksionin e tij”, tha ajo duke shtuar se komisioni i ka rekomanduar Kuvendit mos ta miratoj raportin e këtij institucioni.

Kica – Xhelili tha se me 6 vota për dhe 4 kundër i ka rekomanduar Kuvendit shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK-së.

Armend Muja në emër të LVV-së tha se kërkon shkarkimin e anëtarëve të këstij institucioni, të cilin e përbëjnë Eshref Shabani, Malsore Gashi Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehmeti dhe Ardita Haxhinikaj – Demi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku tha se iniciativa për shkarkim po bëhet për motive politike e pa bazë ligjore.

“Është duke e ushtruar një qasje arbitrare e pashembullt deri më tani në institucionet e pavarura. I tillë është ky rast me nismën për shkarkimin. Ky Këshill është zgjedhur nga Kuvendi vetëm një vit më parë pas një periudhe të gjatë kohore”, tha Lushtaku.

Ai tha se iniciativa për shkarkimin e këtij Këshilli po bëhet për motive politike, pa prova dhe fakte e pa bazë ligjore.

“Ne jemi kundër kësaj drame të turpshme, ku edhe Kuvendi i Kosovës është po aq i kapur nga pushteti i Kurtit dhe është shndërruar në instrument të shkarkimit dhe ngarkimit pa asnjë bazë ligjore”, tha Lushtaku.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Agim Veliu tha se shpreh shqetësimin e LDK-së me këtë veprim që një shumicë parlamentare ka vendosur ta ndërprejë mandatin e anëtarëve të KMShCK-së.

“Shprehi shqetësimin tonë të Komisionit që me shumicë një partiake t’i rekomandojë Kuvendit për ndërprerje të mandatit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, tha Veliu.

Ai tha se këta anëtar janë përzgjedh nga Kuvendi mbi bazën e kritereve të rrepta ligjore dhe me mbikëqyrje për të kryer mandatin e tyre kushtetues e ligjor.

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se ky vendim është i gabuar dhe se deputetët nuk duhet ta shkarkojnë këtë bord.

“E kemi ftuar Këshillin për raportim. Raportin që e ka sjellë Këshilli. Ka qenë raporti i mirë, ka qenë reflektim i punës dhe unë nuk kam vërejtur çështje për çka ne si Kuvend do të kërkonim shkarkimin e Këshillit”, tha Tahiri duke thënë se mandati i tij buron nga Kuvendi.

Tahiri tha se ka shumicë parlamentar që nëse shkon me këtë frymë do të mund të kap dhe të merr në menaxhim institucionet e rëndësishme që janë organe të Kuvendit dhe që do të duhej të kishin trajtim profesional e të pavarur.

“Në këtë vendim nuk e shoh këtë qëllim. Ju lus mos ta votojmë shkarkimin”, tha Tahiri.

Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil