Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

Katër nga pesë anëtarët e përzgjedhur të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës kishin marrë dritën e gjelbër edhe nga ekspertët britanikë si kandidatë të emërueshëm. Vetëm për njërin nga anëtarët që është zgjedh nga Kuvendi në këtë Këshillë, ekspertët britanikë kanë vlerësuar se nuk i plotëson kushtet për emërim përkatësisht nuk është i emërueshëm.

Kandidatët e përzgjedhur pas tre rrathëve të votimit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbim civil janë: Ardita Haxhinikaj-Demi, Malësore Gashi- Bajraktari, Arben Mehmeti, Jeton Koca dhe Eshref Shabani.

Anëtari i përzgjedhur i Këshillit, Arben Mehmeti në një postim në Facebook e ka pranuar se deri tash kishte postë në Lidhjen Demokratike në Gjilan.

“Nga sot jashtë politikës dhe se nuk do të jem anëtar i asnjë partie politike por ndihem i privilegjuar dhe i nderuar për të kaluarën time politike, fokusi tash e tutje në fushën profesionale! Faleminderit shumë kuvendit të Kosovës dhe deputetëve për mbështetjen e tyre në përzgjedhjen anëtar i këshillit të pavarur mbikqyrës për shërbim civil të Kosovës”, ka shkruar Mehmeti në “Facebook.

Kandidatët e përzgjedhur pas tre rrathëve të votimit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbim civil janë: Ardita Haxhinikaj-Demi, Malësore Gashi- Bajraktari, Arben Mehmeti, Jeton Koca dhe Eshref Shabani.

Malësore Gashi- Bajraktari që kishte marrë 25.1 pikë nga komisioni ad-hoc parlamentar dhe ishte renditur e pesta, por në listën e BDO-së (ekspertëve britanikë) nuk ishte në mesin e kandidatëve të emërueshëm për këtë pozitë.

Përveç Gashi-Bajraktarit, komisioni vendor i përbërë nga deputetet e Kuvendit të Kosovës kishte quar në seancë edhe tre kandidatë të tjerë që për ekspertët britanikë nuk ishin të emërueshëm, por ata nuk kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për tu zgjedhur në Këshillë.

Mërgim Himaj, si kandidati më i poentuar prej e komisionit vendor, nuk figuron në listën e të kualifikuarve të BDO-së, ashtu si edhe Malsore Gashi-Bajraktari, Agron Behrami dhe Alban Sutaj.

BDO-ja, kompania angleze e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutim, i ka përzgjedhur si të kualifikuar kandidatët Zylë Gojnovci dhe Lulzim Aliaj, por këta dy kandidatë nuk kanë shkuar fare ne seancë për votim meqë komisioni vendor nuk i ka futur në listën e 10 kandidatëve të suksesshëm.

Anëtarë e tjerë të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës kanë qenë edhe në listën e personave të emërueshëm të ekspertëve britanikë, porse ka dalluar vetëm renditja e tyre.

Komisioni Ad-Hoc është përbërë nga deputetët: Valdete Idrizi (PDK) – kryesuese , Mërgim Lushtaku (PDK), Salih Zyba (LVV), Alban Hyseni (LVV), Valon Ramadani (LVV), Valentina Bunjaku-Rexhepi (LDK), Rrezarta Krasniqi (LDK), Albert Kinolli (6+), Rasim Selmanaj (AAK). Kandidatët më të poentuar nga ana e Komisionit Ad-hoc e të cilët do të shkojnë për votim në seancë janë: Mërgim Himaj 26.3 pikë, Arben Mehmeti 26.1 pikë, Jeton Koca 25.2 pikë, Malsore Gashi – Bajraktari 25.1 pikë, Eshref Shabani 24.8 pikë, Vlora Kryeziu – Syla 24.2 pikë, Faruk Rexhaj – 23.7 pikë, Vjollca Kurtishaj 21.9, Agron Behrami 21.6 dhe Ardita  Haxhnikaj – Demi 20.8 pikë.

Ndërkaq ekspertët britanikë të BDO-së kanë renditur këta kandidatë të cilët sipas tyre  janë të kualifikueshëm: Jeton Koca 22.0 pikë, Lulzim Aliaj  21.5 pikë, Zylë Gojnovci 19.5 pikë, Vjollca Kurtishaj  19.5 pikë, Ardita Haxhnikaj-Demi 19.0 pikë, Vlora Kryeziu-Syla  18.5 pikë,  Arben Mehmeti  18.0 pikë,  Faruk Rexhaj  18.0 pikë dhe Eshref Shabani  17.0 pikë.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë kishte reaguar pas përfundimit të procesitë të vlerësimit të kandidatëve për anëtarët KPMShCK-së që ishte mbajtur më 25 shtator.

“Ne siguruam ekspertet britanikë për të mbështetur këtë proces, si pjesë e projektit tonë të rekrutimit. Tani është detyrë e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës të votojnë për emërimin”, thuhet në publikimin e Ambasadës në Twitter.

Kuvendi i Kosovës në maj të këtij viti kishte shpallur konkurs për zgjedhjen shtatë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, prej tyre së paku dy anëtarë duhet të jenë nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë dhe së paku dy anëtarë duhet të jenë gra.

Kuvendi i Kosovës në të kaluarën, në disa raste nuk i ka përzgjedh kandidatët e rekomanduar nga ekspertët britanikë, sic ka qenë rasti i komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, kryesuesin e bordit të ZRrE-së dhe drejtorin e Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP).