Kusari- Lila: Vendimi për zgjedhjet lokale të jetë konsensual i të gjitha partive

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se qëndrimi i tyre është që të ketë vendim konsensual mes partive politike për shtyrje ose jo të zgjedhjeve lokale.

Kështu tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit dhe pak orë para fillimit të takimit të presidentes Vjosa Osmani me partitë politike, për të diskutuar për rekomandimin që të shtyhen zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Qëndrimi ynë është që të jetë një vendim konsensual i të gjitha partive. Fare nuk insistojmë në njërin ose tjetrin variant, natyrisht në përputhshmëri me qëndrimet e të gjitha partive prezentë”, tha ajo.

Për deputeten e LVV-së, është e rëndësishme që të merret parasysh shëndeti publik, i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe “në dakordancë me rekomandimet Institutit Kosovar të Shëndetit Publik, të kemi edhe fushatën në rast se vazhdohet me datën e njëjtë të zgjedhjeve. Por si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dakordohemi dhe jemi në pajtueshmëri të plotë me të gjitha partitë tjera”, tha ajo.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, për shkak të situatës me pandeminë.

Presidentja Vjosa Osmani sot nga ora 16:30 do të mbajë takim me partitë politike vendore për të diskutuar këtë rekomandim.

Ndërsa të gjitha partitë opozitare e kanë quajtur shkelje të demokracisë shtytjen e zgjedhjeve lokale, duke e fajësuar LVV-në si inicuese të kësaj shkeljeje potenciale. Ndryshe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, Lidhja Demokratike e Kosovës, këtë çështje do ta shtroj për diskutim në mbledhjen e Kryesisë të cilën e ka thirrur për orët e pasdites së sotme.