Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila: Deputetët e Listës Serbe nuk përfaqësuan interesat e qytetarëve serbë në Kosovë - VIDEO

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila është deklaruar në lidhje deputetët e Listës Serbe të cilët dorëzuan mandatine  tyre të hënën.

Kusari Lila tha se deputetët e LS-së dorëzuan mandatet e tyre me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Të drejtat dhe interesat e komuniteteve jo shumicë, janë qartë të definuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligjet e saja, përfshirë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës në të cilin deputetët me urdhër të Vuçiqit dorëzuan mandatet e tyre”- deklaroi ajo.

Kusari Lila u shpreh se deputetët serb edhe kur ishin pjesë e Kuvendit nuk përfaqësuan interesat e qytetarëve serb në Kosovë.

“Ata edhe kur ishin këtu as minimalisht nuk përfaqësuan interesat e qytetarëve serb në Kosovë. Ata asnjëherë gjatë këtij mandati nuk adresuan nevojat dhe nuk folën  për interesat serb të Kosovës”- theksoi ajo.

Më pas, deputetja Kusari-Lila i është drejtuar me një mesazh qytetarëve të komunitetit serb, në gjuhën serbe duke shtuar se uron që mesazhi të shkojë atje ku duhet.

“Uroj që mesazhi të shkojë drejtpërdrejtë atje ku duhet përkundrejt që janë të privuar nga e drejta e përfaqësimit të tyre në institucione të Kosovës edhe pse i kanë të drejtat e garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”- tha Kusari Lila.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe (LS) kanë zyrtarizuar dorëheqjet e tyre nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët që kanë dorëzuar dorëheqjen janë: Slavko Simiq, Adem Hoxha, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Për zëvendësimin e tyre, Ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se deputeti i dorëhequr zëvendësohet nga kandidati i radhës i cili ka fituar numrin më të lartë të votave në listën e kandidatëve.

Komisioni Qendror Zgjedhor në rend dite sot ka shqyrtimin dhe miratimin e reekomandimit të presidentes zëvendësimin e deputetëve të subjektit politik “Lista SRPSKA”.

Çka ndodh nëse asnjë parti serbe nuk zëvendëson deputetët e dorëhequr të Listës Serbe?