Qeveria: Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës

Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu ka njoftuar zyra për media e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ka pritur sot në takim 6 deputetë të Kuvendit serb, të cilët sipas njoftimit të Qeverisë e kanë mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës.

“Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti. Z. Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, z.Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët z.Enis Imamoviq, znj.Nadije Beqiri, z.Mirsad Hodzhiq, z.Argjend Bajrami, z.Selma Kuçeviq, ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Deputetet e Kuvendit të Serbisë e kanë njoftuar Kurtin për funksionimin e organeve të Këshillave Nacionalë.

Në anën tjetër, Kurti citohet të ketë thënë se Serbia duhet të distancohet nga politika e kaluar e Slobodan Millosheviqit.

“Ai ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit. Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, thuhet në njoftim.