Foto: ZKM

Kurti u takua me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste dhe me kryetarin e SPD-së

Në kuadër të Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me kryetarin e SPD-së, njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.

Sipas njoftimit, Kurti me Sekretaren Lasi diskutuan mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat dhe promovimit të vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë.

Sipas tyre, vetëm të bashkuar mund t’i bëjnë ballë tentativave për devijime ekstreme të politikave, veçanërisht rrezikut që paraqet ekstremi i djathtë, në një kohë kur po afrohen proceset zgjedhore në shumë vende.

Ndërsa me kryetarin e SPD-së Klingbeil Kurti bisedoi rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe mbi procesin e dialogut.

“Rajoni përket brenda Bashkimit Evropian, e Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në BE, ku dhe e ka bërë hapin e parë duke aplikuar për anëtarësim”- ka thënë Kurti sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, në lidhje me dialogun, ai ka theksuar se Kosova vijon të mbetet konstruktive e aktive në proces, drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke.

Sipas njoftimit të ZKM-së, agjenda e kryeministrit Kurti në Berlin do të vijojë me takimet me mërgatën në Gjermani.

Foto: ZKM