Albin Kurti në Ohër

Kurti tregon pse pati pauza gjatë takimit trepalësh në Ohër

Dy pauza jo shumë të gjata e shoqëruan takimin e sotëm trepalësh në mes Kosovës e Serbisë, të negociuar nga Bashkimi Evropian, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

E arsyja se u pse u mbajtën këto pauza u shpjegua nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sa i përket këtyre pauzave, a do të thotë se ju do të kishit dëshiruar që të mos ketë pauzë fare, mendoj që më mirë më pauzë” – shprehet ai duke shtuar se është e vërtetë që ka pasur pauza, pasi në njërën anë ka pasur takime bilaterale dhe se nuk kanë qenë të gjitha trelaterale.

Ai tutje tha se në anën tjetër ka qenë nevoja që ekipet të konsultohen me ekspertët e tyre juridik dhe gjithashtu të rregullohen tekstet, të printohen ato para se të diskutohen e ri-negociohen në dakordim.

Kurti shpjegoi se këto pauza janë një procedurë e zakonshme e procesit negociator.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Kurti, presidentit serb Vuçiq, Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.