Kurti tregon gjashtë pikat e propozuara në Bruksel për marrëveshjen finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për takimin e 18 gushtit mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuiçiq në Bruksel.

Kurti ka thënë se në formë të gjashtë kapitujve ka elaboruar këndvështrimin e palës kosovare për kornizën e përgjithshme që do të duhet të përfshinte marrëveshja finale mes dy vendeve.

Sipas Kurtit, këto pika nuk u shoqëruan me kontribut pozitiv nga pala serbe.

“Fatkeqësisht ky elaburim i imi nuk u shoqërua me kontribut pozitiv nga pala tjetër e cila në vend të ideve ka nxjerre vetëm konstatimin që nuk janë të interesuar për normalizim të plotë por për hapa të vegjël e gradual” – tha Kurti.

Gjashtë kapitujt e kornizës së përgjithshme që ka prezantuar Kurti:

  1. Në kapitullin e parë do të duhej të definonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
  2. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, dëmet materiale, kthimi i dokumentacioneve etj.
  3. Në kapitullin e tretë për neve e ardhmja është bashkëpunimi që duhet të ketë katër liritë e dala nga procesi i Berlinit, pra liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
  4. Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi
  5. Në kapitullin e pestë duhet të rikonsiderojmë marrëveshjet e deritashme por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj që cilat këto marrëveshje janë pranuar nga pranimi i marrëveshjes finale e cilat duhet të vazhdojnë të implementohen.
  6. Kapitulli i gjashtë duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale.