Kurti: Tre policët kanë qenë te tryeza e improvizuar duke drekuar, më pas janë rrethuar nga 15 persona që i kanë rrëmbyer

Kryeministri, Albin Kurti ka kërkuar sërish lirimin e tre policëve të Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi.

Sipas Kurtit, ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar.

“Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Në momentin e rrëmbimit, siç thotë ai, tre policët kanë qenë te tryeza e improvizuar duke drekuar së bashku, më pas ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer.

“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës” – ka shkruar kryeministri tutje.

Ai thotë se janë në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet e sigurisë së Kosovës dhe dëshmia e tre policëve.

Kërkesa e tij i drejtohet edhe faktorëve ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s që ta dënojnë, të që sipas Kurtit është agresion i Serbisë dhe shkelje e pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.

Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kanë folur sot në një konferencë për media lidhur me takimin e ambasadorit të Kosovës në Beograd me 3 policët e kidnapuar.