Kurti takon shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me rastin e fillimit të mandatit të tij.

Sipas komunikatës për media të Zyrës së Kryeministrit, Barbano e ka përgëzuar Kurtin për “progresin mbresëlënës ekonomik dhe demokratik që ka shënuar Kosova”.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.

“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, sipas komunikatës,  ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.​

Giovanni Pietro Barbano do ta zëvendësoj, Lars-Gunnar Wigemark i cili ka udhëhequr misionin e EULEX në Kosovë nga viti 2020.

Ai do ta udhëheq këtë mision deri më 14 qershor 2025.

Emërohet shefi i ri i EULEX në Kosovë