Albin Kurti dhe Dora Bakoyannis - Foto: ZKM

Kurti takohet me raportuesen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese në Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Bakoyannis është në mision fakt-mbledhës në Kosovë.

Kurti ka falënderuar Bakoyannis për vizitën e saj duke theksuar që është nder dhe kënaqësi ta mirëpresë në Kosovë dhe në Kryeministri.

Sipas një komunikate, kryeministri u shpreh se për Kosovën anëtarësimi në Këshill të Europës është proces historik i cili i kontribuon mbrojtjes, promovimit dhe avancimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Kurti ka theksuar se Kosova po angazhohet maksimalisht që çdo fazë e anëtarësimit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërkohë që ndau me raportuesen më të rejat për sa i takon zhvillimeve politike në vend, performancës ekonomike, progresit demokratik dhe reformave të deritanishme.

“Raportuesja Bakoyannis falënderoi kryeministrin për mikpritjen. Ajo u shpreh e lumtur me ndryshimin dhe zhvillimin që ka shënuar vendi prej vizitës saj të fundit para 14 vjetëve, teksa theksoi se raporti që do të përpilojë ajo nga qëndrimi i saj këtu do të shërbejë si bazë për vendimmarrje në PACE” – thuhet në komunikatë.

Në prill të këtij viti Kosova ka bërë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Europës, kjo pasi që Komiteti i Ministrave mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Këshilli i Europës i themeluar më 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Europës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.