Foto: ZKM

Kurti takohet me ambasadorin e Italisë, flasin për shtrirjen e gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësministren e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, janë takuar sot me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili shoqërohej nga Majlinda Bregasi, profesoreshë e gjuhës italiane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u riafirmua vazhdimësia e marrëdhënieve të frytshme ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus të veçantë te zgjerimi i shtrirjes së gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë.

“Ambasadori De Riu theksoi se Italia ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej shteteve me kontributin më të madh afatgjatë në Kosovë, që nga prania e qëndrueshme e KFOR-it italian e deri tek mbështetja financiare për projekte e procese të tjera zhvillimore në Kosovë”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Tutje thuhet se kjo mbështetje pritet të konkretizohet edhe përmes iniciativës së Ministrisë së Jashtme të Italisë për të përkrahur shkollat profesionale në profilin e hotelerisë dhe turizmit.

Në këtë takim u diskutua edhe potenciali i zhvillimit të një programi të ri për gjuhën dhe kulturën italiane në Universitetin e Prishtinës, i cili do të kishte në qendër gjithashtu edhe fushën e komunikimit.

“Kurti konfirmoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për iniciativat si kjo që vijnë nga shteti mik i Italisë, duke nënvizuar rëndësinë historike, strategjike e kulturore të Republikës së Italisë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj” – thuhet në njoftim.