Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Sa më parë ta zgjedhim presidente Vjosa Osmanin aq më mirë për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak minuta pas votimit të Qeverisë që do të drejtohet prej tij ka deklaruar se për postin e presidentit nuk duhet kërkuar alternativa, pasi që, sipas tij, Vjosa Osmani, është personi më i kompletuar për atë pozitë.

Kurti ka përmendur detyrat që Vjosa Osmani i ka kryer me përgjegjësinë më të lartë dhe se ajo është personi më i votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Sa më parë që arrijmë  ta thirrim seancën e radhës, pas zëvendësimit të deputetëve që u bënë ministra dhe ta zgjedhim presidenten Vjosa Osmani aq më mirë do të jetë për të gjithë”, ka thënë Kurti.

Sot është votuar Qeveria Kurti 2.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij u zgjodhën sot nga Kuvendi me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars të vitit 2020, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.

Sot është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.