Kurti tregon 6 kushtet mbi të cilat Kosova mund ta konsiderojë themelimin e Asociacionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka treguar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Asociacioni i komunave i dalë në parim nga marrëveshja e Brukselit, Thaçi – Daçiq, si një mekanizëm i tillë mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës me këto kushte”- ka thënë Kurti.
Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.
Kurti po ashtu ka thënë se Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke” – është kushti i pestë që ka prezantuar Kurti.
Gjashtë kushtet e përmenduara nga Kurti:
- Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
- Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë bord dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Ligjit për vetëqeverise lokale.
- Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimit e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive.
- Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
- Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.
- Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet për mospranimin e Republikës së Kosovës për në BE.
Më 30 janar, organizata gjermane Fondacioni Friedrich Ebert (FES) ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe.
Ky draft statut përmban 7 kapituj me gjithsej 18 nene dhe sipas tij, Asociacioni do të formohej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Një ditë më vonë, më 31 janar, Ambasada amerikane në Kosovë, mbajti me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.