Kurti prezanton buxhetin e 2023-së: Kemi ndarë 296 milionë euro për shëndetësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit, Projektbuxhetin për vitin 2023.

Kurti tha se buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, prej tyre janë ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”.

Kurti ka thënë se 296 milionë eurot e ndara për sektorin e shëndetësisë është shuma më e madhe që është ndarë ndonjëherë për këtë sektor që prej shpalljes së pavarësisë.

Ai ka thënë se kjo rritje është shoqëruar edhe me shtimin e 400 pozitave në stafin mjekësor.

“Nga këto, 60 milionë euro janë për barna esenciale, në mënyrë që sigurohemi që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore”- ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar shtimin e pozitave të reja për inspektoratet.

“Kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve; më shumë inspektorë në shëndetësi që të sigurohet cilësia e shërbimeve; më shumë inspektorë të tregut që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit; dhe më shumë inspektorë tatimorë që të sigurohet mbledhja e tatimeve që mundëson ofrimin e shërbimeve më të mira publike”- ka thënë Kurti.

Sipas tij, ky projektbuxhet përfshinë buxhetimin për 11 çerdhe, shtimin e 243 pozitave për staf në çerdhe dhe angazhimin e 500 asistenteve për fëmijë me aftësi të kufizuara.

“Kemi vazhduar mbështetjen për bujqit dhe fermerët tanë. Për vitin 2023, buxheti për ta për herë të parë e kap shifrën 87 milionë euro”- ka shtuar tutje Kurti.

Sipas Projektbuxhetit për vitin 2023, janë shtuar 300 pozita të reja për Policinë, dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë.

Po ashtu 123 milionë euro është shuma që parashihet për Ministrinë e Mbrojtës për vitin tjetër.

Kurti para deputetëve ka përmendur edhe Shtesat për lehona e për fëmijë.

Në këtë buxhet është planifikuar edhe buxhetimi për përfundimin e rrugëve që janë në proces.

Pas një viti jashtëzakonisht të suksesshëm në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, buxheti për vitin e ardhshëm i kësaj ministrie do të jetë mbi 57 milionë euro, pra dukshëm më i lartë se sa ai i këtij viti. Për rezervat shtetërore i kemi ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për vitin 2023 për të vazhduar mbushjen e tyre, pas ndarjes 10 milionë euro për këtë vit në të cilin ndodhemi”- ka thënë Kurti.

Kurti në fund, ka ftuar deputetët e Kuvendit që ti japin mbështetjen e tyre këtij Projektbuxheti për vitin 2023.