Kurti: Përgjegjësi institucionale dhe vetëdijësim shoqëror për adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës

Me rastin e ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kryeministri Albin Kurti ka vizituar Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Kurti është shprehur se kombinimi i përgjegjësisë institucionale dhe vetëdijësimit shoqëror mund të sjellë rezultate, siç shtoi ai, për të tejkaluar sfidat për realizimin e mandatit të këtij komisioni dhe nxitjen e aplikimit për realizimin e së drejtës së tyre të garantuar me ligj.

“Ne nuk mund ta imagjinojmë tmerrin që kanë përjetuar personat që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pasuar me ndrydhjen e pasluftës. Janë viktimizuar sërish nga stigma dhe mos intervenimi institucional për të trajtuar këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori”, citohet të ketë thënë Kurti.

Tutje bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka ritheksuar domosdoshmërinë e thirrjes së vazhdueshme për personat e mbijetuar, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, dhe që këto thirrje të arrijnë kudo që të mbijetuarat/it mund të jenë.

“Në takim ishin të pranishëm kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, Minire Begaj Bala, anëtarët e komisionit, së bashku me përfaqësueset organizatave joqeveritare të autorizuara për të ndihmuar në procesin e aplikimit: Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së dhe Mirlinda Sada, drejtoreshë e Medica Gjakova, si dhe anëtarët e sekretariatit të këtij komisioni qeveritar”, thuhet në kumtesën e ekzekutivit.