Kurti për vdekjen e gruas shtatzënë nga COVID-19: Në vend se të vijë në jetë edhe një, u shuan dy

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjarët e gruas shtatzënë e cila vdic sot nga COVID-19.

Kurti përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se vdekja e saj është një humbje e madhe në një kohë të vështirë e të pazakonshme.

Kurti më tej në publikim ka ftuar qytetarët që t’iu përmbahen rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Në vend se të vijë në jetë edhe një, u shuan dy. V.P., nënë e një vajze dhe një djali, ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo ishte në javën e 28 të shtatzënisë. Por, fatkeqësisht, ajo nuk pati rastin që ta përqafojë foshnjën e saj as edhe njëherë të vetme. Edhe pse shumë prej nesh nuk e njohëm bashkëqytetaren tonë, ky rast sot na pikëlloi tej mase. Jam njoftuar që gjendja e saj ka qenë e rënduar prej kur është pranuar në Klinikën Infektive në Prishtinë me 15 prill. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe kujdesit ndaj tyre, nëna dhe fëmija ndërruan jetë. Bashkëshortit, fëmijëve dhe mbarë familjes të së ndjerës u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Një humbje shumë e madhe, në një kohë të vështirë e të pazakonshme. Prandaj, ju lutem përmbajuni masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ashtu që ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin. Secila jetë është e pazëvendësueshme”, ka shkruar Kurti.

Mëngjesin e sotëm, nga Ministria e Shëndetësisë është konfirmuar vdekja e një gruaje shtatzënë, 40 vjecare, e cila ishte me COVID-19.

Regjistrohen edhe 37 raste me coronavirus, numri arrin në 598